Bushati: Basha po bën diversion me BE dhe SHBA
Ministri jashtem, Ditmir Bushati ka akuzuar Lulzim Bashën se po bën diversion me BE dhe SHBA. Nga Shkodra, Bushati komentoi mesazhet e marra nga SHBA gjatë vizitës së tij në Uashington pak ditë më parë dhe pohoi se mesazhi i zyrtarëve amerikanë për futjen e partive në zgjedhje ishte i qartë.
“Mesazhi i dhënë nga zyrtaret amerikane ishte i qartë, si për futjen në zgjedhje dhe për përfundimin e reformës në drejtësi. Është një investim politik, teknik dhe financiar i qartë i BE-së dhe i SHBA-ve, i cili gjithashtu gjënë dhe mbështetjen e qytetarëve shqiptarë. Lulzim Basha ka zgjedhur që të bëjë diversion me BE-në dhe SHBA-të, ndonëse BE, Gjermania dhe SHBA-të kanë folur qartë dhe qytetarët shqiptarë presin që PD të jetë prezent në 18 qershor duke shpalosur alternativën e tyre. PD ka 3 vjet që kërkon zgjedhje të parakohshme dhe tani që u dekretua data nga presidenti duan shtyrje te tyre.”, tha ai.
Ditmir Bushati pohoi se qytetarët presin që në 18 qershor opozita të marrë pjesë në zgjedhje. “PD ka 3 vjet që kërkon zgjedhje te parakohshme dhe tani do shtyrje të tyre. Lulzim Basha ka zgjedhur rrugën e paligjshmërisë. PD lindi si forca e shpresës, sot ka zgjedhur që të çojë veten në vetëvrasje politike”, pohoi Bushati.
Bushati u ndal dhe tek zgjedhja e presidentit të ri, ku tha se edhe pse koalicioni qeverisës ka mundësi të zgjedhi presidentin, ai duhet të zgjidhet me konsensus