Basha: 12 orë pas vrasjes së Cukut, shteti s’ka reaguar ende!

Aktualitet

 

Lulzim Basha ka deklaruar sot në çadrën e protestës se kanë kaluar 12 orë nga vrasja e Artan Cukut, ish-drejtuesit të lartë të Policisë dhe shteti shqiptar nuk ka reaguar ende, sepse ” kjo qeveri nuk ka kurajon dhe moralin të ngrejë zërin,” u shpreh ai.

“Të dashur miq , – tha Basha, – më lejoni t’ju ftoj ta nisim këtë të dielë, me një minutë heshtje për të nderuar kujtimin e një oficeri trim të Policisë së Shtetit, një luftëtari të paepur kundër krimit, një mbrojtësi të sigurisë dhe jetës së njerëzve, të flakur kundër ligjit dhe pa asnjë arsye, në mes të katër rrugëve, që u ekzekutua dje barbarisht nga dora mafioze, oficerit Artan Cuku.

(Një minutë heshtje)

U prehtë në paqen e Zotit

Artan Cuku, shërbeu për dhjetra vite në Policinë e Shtetit, në detyra nga më të ndryshmet, ku më të rëndësishmet janë pa dyshim ato në Drejtorinë e krimit në Tiranë dhe krye të policisë së qarkut të Vlorës. Një nga qarqet problematike sa i përket krimit të organizuar dhe në veçanti sa i përket drogës dhe trafikut të drogës.

Qarku i Vlorës siç e dini ju të gjithë, është po kështu edhe qarku në të cilin kryekryeministri aktual është edhe kreu i listës, deputeti i parë i Partisë Socialiste. Kanë kaluar mbi 12 orë nga kjo vrasje makabre e stilit mafioz, shoqëria ka shprehur tronditjen e thellë, kolegët e oficerit të lartë të Policisë së Shtetit kanë shprehur shqetësimin e madh dhe revoltimin me faktin që një oficer i shërbeu ligjit dhe luftoi krimin u flak në rrugë pa asnjë mbrojtje nga krimi.

I vetmi që nuk ka reaguar, është shteti shqiptar. Nuk ka reaguar Ministri i Brendshëm, nuk ka reaguar kryeministri, njëkohësisht edhe deputeti i parë i qarkut në të cilin oficeri Cuku shërbeu si drejtor. Nuk kanë reaguar, nuk kanë gjetur kohën, nuk kanë gjetur fjalët, nuk kanë gjetur kurajon, nuk kanë gjetur dhe nuk kanë moralin të ngrenë zërin kundër dorës kriminale që goditi shërbëtorin e ligjit.”

Basha foli në bashkëbisedimin me artistë e pedagogë në çadrën e protestës.

 

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?