Aktualitet

Luan Rama përplaset me Majkon. Luan Rama: punësime skandaloze politike. Majko: Po bën opozitën

 

Kreu i Grupit të LSI-së, Luan Rama, ka ngritur si shqetësim faktin se Parlamenti nuk kontrollon siç duhet emërimet në administratën publike.

Ai i është referuar raportit vjetor të Departamentit të Administratës Publike, teksa tha se emërimet vazhdojnë të jenë në mënyrë politike. Sipas tij, përfaqësimi i disa ministrive është skandaloz dhe kjo tregon politizimin e administratës.

“Ajo që dua të them ka të bëjë me rritjen e rolit monitorues të Kuvendit, më shumë që këto lloj raportesh dhe këto analiza të institucioneve në përgjithësi të mos i kthejmë në procedurë formale, por të nxjerrim detyrime konkrete që të jenë të zbatueshme për institucionet e tjera, pastaj që kanë impakt apo detyrime ligjore për të përmbushur. Ne ende nuk kemi arritur ta krijojmë edukatën e punës, që punonjësi i administratës publike dhe i shërbimit civil është profesionist dhe si i tillë, duhet të gjykohet vetëm në raport me ligjin dhe jo me sjelljen politike apo humorin politik të titullarëve. Ne na ndodh shpesh të na vijnë përfaqësues të ministrisë, dhe ju jeni dëshmitarë të një niveli skandaloz me të cilin përfaqësohen një pjesë e ministrive, për shkak të faktit se në stafet e tyre ka njerëz që nuk kanë profesionalizmin e duhur, meritën e duhur dhe, në fakt, nxjerrin zbuluar të gjithë këtë që ne nxjerrim për administratën publike”, ka thënë dje kreu i grupit të LSI-së, Luan Rama.

Ai ka vënë në dukje edhe faktin se në projekt-rezolutën e detyrave për DAP për vitin 2017, që hartohet nga Kuvendi, janë konstatuar përsëritje, madje ai e quajti hartimin e rezolutës i “copy-paste” me atë të vitit 2015.

Por Pandeli Majko e ka komentuar qëndrimin e kolegut si të nxitur nga mungesa e opozitës në Kuvend.

“Unë besoj se mungesa e opozitës nxit të bërit oponencë. Nga ajo që dëgjova, nuk mendoj që kemi thjesht një debat formal, por kemi një debat që ka nxitje dhe nervozizëm në një moment të caktuar midis palëve. Por besoj se ka të bëjë me atë moment vibrant që ekziston tek autokontrolli i brendshëm që ne si Kuvend i kemi vënë detyrë. Mendoj që vërejtja e zotit Rama qëndron, mbase një përsëritje formale e projekt-rezolutës së sotshme me atë të mëparshmen”, ka thënë dje Majko.

Por, në debat, Luan Rama është shprehur se ai nuk bën rolin e opozitarit, por atë të ngritjes së problematikave.

“Dua të qartësoj se nuk bëj opozitën në asnjë rast, por kur konstatoj një gjë, që në vlerësim tim që nuk shkon, jam i detyruar që ta them, edhe në respekt të titullarëve të institucioneve që janë këtu dhe në respekt të opinionit publik”, tha Luan Rama.

Sipas raportit të Administratës Publike, gjatë vitit 2016 janë liruar nga statusi i nëpunësit civil 478 punonjës të administratës shtetërore. /Panorama

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?