Partizani-Skënderbeu përballja kryesore

Sport

Partizani që kryeson renditjen sëbashku me Kukësin do të presë në “Selman Stërmasi” kampionët e Skënderbeut. Një duel mes rivalësh që mund të përcaktojë jo pak në luftën për titull. Të kuqtë vijnë në këtë takim me vetëm një dyshim që ka të bëjë me gjëndjen fizike të Mazrekajt, megjithatë pritet që anësori të jetë gati dhe të rreshtohet mes titullarëve. Në krah të tij në  fazën ofensive me shumë gjasa do të jenë Cetkovic dhe Vila, kurse Ekuban si gjithnjë do të vendoset në majën e sulmit të  kuq.

Në krahun tjetër ka një problem kryesor për trajnerin e bardhekuqëve Ilir Daja. Sabjen Lilaj po vuan nga një dëmtim në gju dhe duket e vështirë që të zbresë në fushë të dielën. Me shumë mundësi vendin e tij do ta marrë Nimaga që do të jetë përkrah Orelesit dhe Predescut në qëndër të mesfushës. Adeniyi dhe Latifi do të rreshtohen nga krahët , kurse Salihi do të vendoset në qëndër të sulmit. Kjo superpërballje do të zhvillohet të dielën në orën 19 në stadiumin “Selman Stërmasi”.

Nga dueli mes Partizanit dhe Skënderbeut do të kërkojë të përfitojë në maksimum Kukësi, megjithëse blutë nuk do ta kenë të thjeshtë kundër një skuadre me shumë cilësi si Luftëtari. Trajneri Gjoka nuk ka të disponueshëm Rrumbullakun me Imamin që do të vendoset në të majtë të mbrojtjes. Ndërkohë mesfusha do të plotësohet nga 4-ja e zakonshme Dvornekovic, Lena, Musolli dhe Karioka. Emini do të jetë pas krahëve të Pejic. Ndërkaq me mentalitet plotësisht sulmues do të zbresin gjirokastritët, ka gjasa që trajneri Milinkovic të përdorë një skemë me 3 sulmues të cilët do të jenë Lamce, Reginaldi dhe Abazaj. Luftëtari vjen ën këtë sfidë pa Bregun dhe Zguron të skualifkuar.

Sot në orën 19 do të zhvillohet derbi i Shqipërisë mes Tiranës dhe Vllaznisë. Bardheblutë synojnë fitoren e parë në këtë fazë të 3-të. Gentjan Mucae ka mbyllur sezonin dhe do ti nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale në zonën lombare, teksa Karabeci ende nuk është i gatshëm, ndërkaq do të mungojnë edhe Mpise për një problem me dhëmbet, Domgjoni e Bajrami. Në këtë pikë trajneri Josa pritet të aktivzojë dyshen Teqja-Cake në qëndër të mbrojtjes, ndërsa Gilman Lika, Merveill dhe i Taku tashmë i falur do të vendosen pas krahëve të sulmuesit të vetëm Edeh.