Deputetja e LSI-së: Duhet të dalim të vetëm në zgjedhje

Intervista

Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Silva Caka në një intervistë në “45 minuta” është shprehur se një presidente grua do të ishte më e përshtatshme për të zëvëndësuar presidentin aktual, pavarësisht nga cila forcë politike vjen. Por deputetja e LSI ka reaguar edhe në lidhje me zgjedhjet dhe koalicioni më PS duke deklaruar se do të ishte mirë që LSI të garonte e vetme në zgjedhje.

Ndërsa në lidhje me protestën e PD Caka tha se duhet të ketë dialog mes palëve për t’i dhënë garanci opozitës por shtoi se megjithatë qeveria Rama garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Deputetja Caka përsa i përket ligjeve të reformës në drejtësi që kërkojnë 3/5 e votave Caka tha se ka konsensus me PS dhe ato do të votohen në seancën e së enjtes.

Pse LSI hezitoi të regjistrohej në KQZ?

Mendoj se ka qenë thjesht çështje afati. Regjistrimi në KQZ është hap formal. Ishte një çështje që u fry nga mediat. LSI nuk kishte se si të mos regjistrohej sepse është një parti që kërkon standarte në zgjedhje dhe nuk mund të kërkosh standarte nëse nuk regjistrohesh në zgjedhje.

Nuk e keni vënë ndonjëherë në dyshim regjistrimin?

Nuk ka pasur asnjëherë arsye që LSI të mos regjistrohej në zgjedhje.

A nuk mund të jetë arsye bojkoti i PD apo deklaratat se nuk mund të ketë zgjedhje pa të?

Deklaratat e PD nuk besoj se do të përbënin pengesë për LSI apo partitë e tjera për tu regjistruar në zgjedhje. Besoj dhe shpresoj që shumë nga partitë e opozitës të regjistrohen në zgjedhje.

Edhe pse regjistrimi është formal pse Luan Rama tha se nuk mund të shkohet në zgjedhje pa opozitën?

Gjithmonë do ta kërkojmë prezencën e opozitës sepse nuk mund të ketë zgjedhje me standarte pa opozitën. Duke mos ardhur forcat opozitare do të kemi zgjedhje të njëanshme. Nuk jemi në fazat kur në Shqipëri të mungojë pluralizmi politik.

 

Duket që këtë standart e kërkoni vetëm ju, jo PS. Pse PS nuk e ka të domosdoshëm këtë standart?

Është një artikulim që nuk do doja ta komentoja për aq kohë sa nuk jam e PS, megjithatë do të doja të dëgjoja të kundërtën edhe nga aleatët tanë.

Pretendimet e opozitës janë të vërteta, por edhe ne të LSI kërkojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Megjithatë diferenca midis nesh dhe opozitës qëndron në faktin se kush e ka pushtetin në dorë për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Forcat që përbëjnë maxhorancën duhet t’i garantojnë këto zgjedhje.

Çfarë mund t’i ofrojë maxhoranca opozitës?

Garancinë absolute për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Që t’i rikthejë besimin opozitës dhe qytetarëve.

Opozita deklaron se këtë garanci nuk mund ta japë qeveria Rama, si mendoni ju?

Unë mendoj që dita-ditës tregojmë që jemi të përgjegjshëm ,që vazhdojmë të votojmë reformat që kemi premtuar dhe mendoj që edhe reforma zgjedhore do të bëhet siç duhet.

Qeveria Rama është e aftë të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Megjithatë do doja shumë që palët të uleshin në disa tryezë. Të kishte një hap për të arritur një marrëveshje të caktuar. Tani kemi dy parlamente, hapi i parë duhet të jetë që opozita të përfaqësojë atë për të cilën është votuar. Është e rëndë që në 2017 qytetarët të mos besojnë në zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Rama ka thënë që jam dakord të ulem dhe të dialogoj me PD qoftë edhe brenda çadrës, por ata duhet të heqin dorë nga qeveria teknike, jeni dakord?

Mendoj që në bashkëbisedime vendosen kushte por duhet të jenë racionale. Qeveria teknike është një pretendim i një force të caktuar politike dhe unë nuk dua ta komentoj.

Ju si shumicë si pozicionoheni përpara kësaj kërkese?

Të kërkosh qeveri teknike kur një pjesë e reformave që u premtuan u realizuan qeveria teknike është jo racionale.

U votuan 4 ministra në Parlament Meta, Kryemadhi nuk ishin, ju nuk ishit, cila ishte arsyeja pse nuk votuat?

Unë kam qenë në një trajnim antikorrupsion në Austri të organizuar nga OSBE dhe e kam gjykuar që ishte mundësi e mirë të isha atje. Isha e angazhuar me këtë aktivitet që filloi me datë 20 dhe përfundoi me datë 24 dhe mendoj se ishte një mundësi shume e mirë që s’duhet ta humbisja.

Ju zgjodhët trajnimin antikorrupsion para qeverisë Rama?

Kjo ishte një vizitë që unë e kisha planifikuar para se të bëheshin ndryshimet në qeveri.

ǒmendim keni për ndryshimet 2-3 muaj para zgjedhjeve në qeveri?

Si juriste mendoj se ndryshimet janë tagër i kryeministrit dhe nuk mund të bëj komente, por unë gjithmonë jam pro ndryshimeve në qeveri. Ka një nisje, një zhvillim dhe një dekadencë, ndaj duhen bërë.

Ju bën përshtypje kur Rama thotë që ministri është më i miri dhe duhet ta çoj në krye të partisë, si e shikoni ju këtë?

Janë tagër i kryeministrit, nuk komentoj.

Si ju duket që ka ministre grua më tepër se burra ne qeveri?

Është raport i shkëlqyer. Mendoj se të dyja gjinitë duhet të jenë të përfaqësuar njëlloj. Duke pasur këtë frymë në nivele më të larta ndikon edhe në nivele më të ulëta. Personalisht e vlerësoj shumë dhe e kam shprehur që duhet të bëjmë një ndryshim të tillë dhe në parlament.

Më përpara kemi pasur legjislatura me profesionistë të shkëlqyer, ndërsa ky Parlament nuk ka treguar këtë gjë. Kemi pasur njerëz të inkriminuar e të korruptuar. Në këto kushte që kemi mendoj se zëvendësimi me gra dhe vajza do ishte zgjedhje e mirë.

A mund të arrihet 50% në parlament?

Kjo ka qenë edhe kërkesë e LSI pasi e kemi edhe në statut. Unë kam qenë një nga iniciatorët që në listat e këshillave të LSI të kemi ndarje 50 me 50 të burrave dhe grave. Unë do të doja që t’iu riktheja edhe njëherë në vëmendje që ndryshimi i raportit burra-gra në parlament është tagër i komisionit të reformës zgjedhore. Ky komision duhet ta rishikojë këtë çështje.

Shpesh herë ju keni fërkime edhe me ministret gra, me Nikollën psh edhe Kryemadhi pati një qëndrim kritik për reformën në arsim?

Nuk besoj se kritikat vijnë se janë ministre gra apo burra. Personat që janë zgjedhur deputetë apo jo dhe marrin mandat ministri nuk janë aty si burra apo gra, por janë aty për të bërë një punë të caktuar.

Kritikat e Kryemadhit qëndrojnë se reforma në arsim është e gabuar?

Mendoj se pretendimet e Kryemadhit kanë qenë të drejta. E shoh kur takojmë strukturat e LRI ku takoj shumë maturantë që kanë shumë shqetësime.

Para se të largohesha në Austri isha me të rinjtë e LRI në Skrapar dhe ishin shumë të pasigurt. Të kesh në vitin 2017 të rinj të pasigurt do të thotë që disa gjëra po shkojnë keq. Këto nuk i kemi evidentuar vetëm ne, por kushdo e has këtë problem me çdo të ri që takon. Maturantët dhe prindërit kanë frikë nga ndryshimet që bëhen çdo vit dhe çdo muaj.

Megjithatë Nikolla ka kthyer përgjigje duke thënë që po e bëni për fushatë, si do i përgjigjeni?

Nuk do i përgjigjem sepse ditën që u votua reforma deputetja Mehmetaj ka mbajtur fjalim ku përmendi të gjitha ato që u vërtetuan vitin që kaloi ku patëm shumë probleme. Nuk po ngrihet zëri vetëm tani, kjo u bë qëkur reforma në arsim ka ardhur në komisionet parlamentare.

Ne kemi pasur kërkesat dhe kundërshtitë tona por për hir të koalicionit u votua reforma në arsim por iu dha hapësirë institucioneve të bëjnë punën e tyre. Ka akte nënligjore që janë bërë në kundërshtim me atë që votuam.

Nëse këto akte nënligjore vijojnë në mënyrën e gabuar ju nuk do t’i votoni?

Kur të kenë miratuar ato që kemi reflektuar votojmë, në të kundërt nuk votojmë.

Këto mund të bëjnë të duket si koalicion me dilema, në më pak se një javë vjen 1 prilli i famshëm dhe ka pikëpyetje a do jenë bashkë PS-LSI, çfarë do ndodhë mes dy partive?

Ende nuk është vendosur nga forumet.

Kjo është përgjigje që e thotë Meta dhe e thoni të gjithë ju…

Është e sinqertë. Sepse ka pasur proces konsultativ me të gjitha strukturat kur kemi vendosur si do jetë LSI në zgjedhje, kjo do ndodhë edhe në këtë zgjedhje.

E dëgjuat Ruçin kur tha me ose pa LSI do shkojmë në zgjedhje, çfarë shije ju la?

Nuk më lë ndonjë mbresë, sepse mund të jetë mendim personal i Ruçit.

Janë forumet e partive që në fund të ditës vendosin si partitë të dalin në zgjedhje. Unë personalisht mendoj që jo vetëm LSI por çdo parti të dalë para zgjedhjeve vetëm dhe të votohet për programin e saj.

Më vjen mirë që ka edhe zëra të tjerë që mendojnë se forcat politike të shkojnë vetëm në zgjedhje dhe më pas të vendosin pë koalicione.

Shumë eksponentë të LSI e kanë shprehur hapur dëshirën që Meta të jetë kryeministër, jeni dakord me vendimin e Ramës që partia që del e parë në zgjdhje merr karrigen e kryeministrit?

 

Jam dakort me këtë ide. Mendoj se LSI do të rritet në këto zgjedhje. Është e kotë që një parti të futet në zgjedhje për të humbur.

Si mund të përmbyset raporti me PS?

Çdo forcë politike ka terrenin e saj. Jo domosdoshmërisht duhet të përmbysim raportin. Për aq sa kam parë nga fryma në të gjitha Shqipërinë mendoj që do kemi rezultat shumë herë më të mirë nga sa mund të mendojmë.

Edhe si parti e parë?

E shpresoj dhe e dëshiroj. Çdo parti ka qëllim forcimin politik.

Ju thatë që doni që LSI të provohet vetëm, ndërkohë sa opsione ka?

Çdo forcë ka 2 opsione të jetë në koalicion parazgjedhor dhe të futet vetëm në zgjedhje. Ose ekziston edhe mundësia që të futemi vetëm në zgjedhje dhe të jemi në opozitë pas rezultateve.

Ky koalicion vetëm me PS apo edhe me parti të tjera?

Të gjitha opsionet janë të mundshme dhe të logjikshme. Nëse ata që na votojnë dhe besojnë do kenë kërkesë për koalicion me PDIU apo parti të tjera të koalicionit ne do të bëjmë sipas vendimit të strukturave.

Kur do ta vendosni?

Ka një afat, shumë shpejt do të vendosim, deri me 19 prill. Ky proces është në zhvillim e sipër.

Si duhet të jetë profili i presidentit?

E cakton qartë Kushtetua. Mbi të gjitha palët.

Nuk e kemi në rastin e Nishanit?

Të kesh një president që është mbi të gjitha palët është tjetër gjë dhe të bësh metoda akrobatike për të zgjedhur një president është një tjetër gjë.

Ndryshimet kushtetuese bënë që presidenti të mund të zgjidhet i njëanshëm me 71 vota. Shpresoj që ta zgjedhim presidentin në raundet e para.

Rama edhe herën e fundit e përmendi president ose presidente, ju jeni dakord që të kishim një grua presidente?

Absolutisht që jam dakord, Jam e bindur që një presidente grua do të ketë më shumë integritet pavarësisht nga cila forcë vjen sidomos nëse zgjidhet me konsensus të gjerë.

Keni pasur një përplasje me Xhafajn në komision?

Ishte një keqkuptim i momentit. Kërkova një ndërprerje të vogël që u sqarua shumë shpejt për çështje dokumentacioni. Nuk ka asnjë fërkim me ministrin e ri të brendshëm.

Largimi i Tahirit ishtë një ndryshim i domosdoshëm edhe për kanabisin?

Nëse do bënim një ndryshim për kanabisin nuk duhet ndryshuar vetëm ministri sepse janë disa institucione që koordinojnë luftën kundër narkotikëve që duhet t’i kishin bërë gjërat më mirë.

Luan Rama para sa ditësh ka cituar një ligj që duhet të ngriheshin disa institucione që të koordinonin punën se bashku kundër lëndëve narkotike dhe duhet të kishte pasur raportim në Kuvend për situatën në vend, këto institucione ende nuk janë ngritur. Unë mendoj se gjendja është alarmante.

Ke besim te ministri i ri?

Patjetër që kam. Mendoj se të gjitha institucionet që janë përgjegjëse duhet të japin maksimumin për të arritur një situatë të mirë dhe në sy të ndërkombëtarëve të tregojmë që nuk jemi një vend i pushtuar nga kanabisi.

Braçe thotë me apo LSI ne i fitojmë zgjedhjet si do i përgjigjeni?

Po, mirë.

Të enjten në Parlament janë disa ligje të reformës, do i votoni?

Janë disa projektligje që janë konsultuar shumë mirë brenda maxhorancës dhe besoj që do votohen sepse janë ligje shumë të mira.

Te gjitha duan 3/5 dhe që kur ishin në komisione janë votuar. Në parim është rënë dakord dhe besoj se nuk ka arsye të mos votohen.

Të enjten nuk surpriza edhe me PDIU jeni marrë vesh?

Nuk flas për PDIU por di që LSI do votojë pro sepse kjo gjë ka ndodhur edhe në komisionin e ligjeve. Besoj se pasnesër nuk ka surpriza.

0 0 votes
Article Rating
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments