Intervista

Si e njoha Visar Zhitin dhe kush është P.V. që e denoncoi. Flet Maks Rakipaj që ka qënë në burg me Visar Zhitin

Fatmira NIKOLLI

 

Në një intervistë të gjatë për “GSH”, poeti Visar Zhiti i hodhi poshtë pretendimet e presidentit Nishani se ai ka qenë bashkëpunëtor i administratës së burgut të Spaçit. Duke folur për mosdekretimin e tij si ambasador, kreu i shtetit tha se ai kishte sinjalizime nga ish-i përndjekuri P.V. se sshkrimtari ishte “bashkëpunëtor” në vitet 1982-1983. Vetë Zhiti u përgjigj fort duke thënë se Nishani ishte bërë si Enver Hoxha, “akuzon me letra nga populli”.

FLET I DENUARI NE SPAÇ

Maks Rakipaj ka qenë në burg me Visar Zhitin dhe pothuaj 30 vite më vonë rikthehet për të kujtuar ditët e egra të Spaçit. Në një prononcim për “Gazeta Shqiptare” ai tregon se si e mban mend shkrimtarin, poetin e diplomatin në Spaç gjatë kohës së burgut në komunizëm, kur të dy ishin të dënuar e ngryseshin në një prej vendeve më famëkeqe të regjimit. Tri dekada më pas, kur Visar Zhiti akuzohet si spiun me një mesazh drejtuar presidentit Bujar Nishani, Maks Rakipaj thotë se akuza ndaj Visarit si spiun është një shpifje, të cilën e hedh poshtë me neveri.

I pyetur nga “GSH”, ai rrëfen si sillej Visari në burg dhe cila ishte marrëdhënia e tij me administratën e burgut, ku punonte Visari dhe si i mban mend kohët e burgut, si i sheh akuzat si ish i burgosur dhe cili është mesazhi i tij për Zhitin. Maks Rakipaj është shprehur më herët se nuk është hera e parë që e sulmojnë Visar Zhitin. “E sulmuan djathtas e majtas kur pranoi të bëhej ministër Kulture në qeverinë ‘Berisha’ tre muajt e fundit të asaj qeverie. E mbështeta në vendimin që mori, sepse kam qenë shok burgu me të dhe ia njoh integritetin moral”, – thotë Rakipaj. Duke kujtuar se, “këto ditë, përsëri luftë kundër Visarit. Guxoi të sulmonte presidentin për emërimin e Xhafajt si ministër i Brendshëm, ndjehej mllefi i vet për mosemërimin si ambasador në Vatikan”, Rakipaj shton se ai “nuk është çudi të keni një ish-i burgosur politik President të Republikës”.

Kur e keni njohur Visar Zhitin?

Visar Zhitin e kam njohur në vitin 1979. Më duket qe muaji korrik, kur e prunë në kampin famëkeq të Spaçit. Kemi qenë bashkë deri në shtator të vitit 1984, pasi unë u lirova nga kampi i Qaf-Barit.

Si sillej ai në burg, çfarë bënte?

U bëmë shpejt shokë të ngushtë. Qe djalë serioz, shok i mirë, që mund t’i besoje gjithçka symbyllur.

Si e shihni akuzën që i është bërë si spiun në burg?

Visari spiun? Kjo është shpifje e ndyrë e një mendjeje të sëmurë dhe unë e hedh poshtë me neveri; jo vetëm nuk është dënuar askush prej deklaratave të tij, por shumë prej nesh mburren me miqësinë e tij.

A keni dijeni se kush është ish-i përndjekuri me inicialet P.V.?

Po, e marr me mend cili mund të jetë ky P. V… nga inicialet mendoj se është një Pis Vrimash, pjellë e errët e një mendjeje të sëmurë.

Çfarë marrëdhëniesh kishte me administratën e burgut?

Ah, për administratën e burgut! Në administratë punonin ekskluzivisht spiunë që i shërbenin komandës, Visari ka punuar punëtor nëntoke në minierë.

Ju keni dëgjuar një akuzë të tillë më parë për të? Nga se mendoni që vjen?

Nuk kam dëgjuar kurrë gjë të tillë më parë, është shpifje e pastër… Mjerë ne cilët njerëz kemi në krye.

Ju vetë, flisnit lirshëm me të në burg?

Ka qenë vëllai im në burg, si atij u besoja edhe miqve të tjerë që njoha në Spaç dhe askush s’më zhgënjeu prej tyre. Por me Visarin qe më ndryshe, qe shoku im i ngushtë ju thashë.

Kjo që ndodhi, çfarë na thotë për ish-të përndjekurit e ish-të burgosurit?

Për mua është një politikë e ndyrë që është ndjekur ndaj nesh, që e ka zanafillën nga thënia: “Të gjithë fajtorë, të gjithë bashkëvuajtës”…

A keni një mesazh për presidentin?

Jo. Nuk është presidenti im.

Po për Visarin, keni një mesazh?

Me Visarin komunikoj gjithmonë, është po ai shok i mrekullueshëm i atyre viteve që na morën rininë… Të vaftë mbarë vëllai im, qoftë edhe për inat të atyre që na kanë halë në sy, që plasin nga inati kur shohin se një ish-i burgosur politik bëhet ministër, ambasador! Prisni, nuk është çudi të keni një ish-i burgosur politik President të Republikës.

 

Risultati immagini per visar zhiti

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?