Nga Edison Ypi: Gazi

Shkrime

Surrati i shqiptarit nuk ka qënë gjithmonë si është sot; me tul në ballë, pamje prej budallai, sy prej skutthi. Surrati i shqiptarit gjatë shekujve ka qënë surrat si gjithë surretërit.
Pjerrja e ballit, dalja e mjekrrës përpara, futja e syve në thellësi të kafkës, picërrimi i syve, zgjatja e veshëve, deformime shtazarake këto që shqiptarit ja shkaktoi diktatura, e bënë shqiptarin të dukej, si derr, majmun,skile, lakuriq nate.
“Surrat qen”, “Surrat derr”, “Surrat majmun”, “Surrat kalë”, “Surrat kunadhe”, “Surrat skile”, “Surrat skuth”, ishin disa nga cilësimet e surretërve shqiptarë gjatë rrugës së përdhunimit antropometrik.
Galeria e surretërve të modifikuar diktatorialë përmbante disa surretër që binin më tepër në sy;
Surrati i spiunit, apo kryesurrati, ishte si një gropë balte Myzeqeje.
Surrati i Sekretarit, ishte si në filmat e horrorit kur dikush e pret atë surrat me lëvizje biçaku në kuadrate të vegjël.
Surrati i komshiut ishte si tav dheje e ngrënë përgjysëm.
Surrati i Drejtorit të ndërmarrjes, dukej si pjesa e poshtëme e këpucës ushtarake me llokma gome.
Surrati i kujdestarit të Këndit të Kuq ngjante me një trung të goditur nja njëmijë herë me sqepar bam-bam-bam.
Kishte dhe surretër të tjerë të spikatur. Si për shembull surrati i kolegut, surrati i pedagogut, surrati i puntorit pararojë, surrati i kunatit, surrati i baxhanakut, surrati i vjehrrit, surrati i shokut të ushtrisë, surrati i shokut të zborrit, etj. etj.
Dukej sikur shëmtimi i pandalshëm nuk kishte një spjegim apo një fill nga ta kapje për të pasur një ide si do vazhdonte rrokopuja e surretërve. Megjithatë ky fill ekzistonte. Ta vije re mirë, modifikimi i surratit nuk ndodhte brenda dinamikës të mardhënies së shqiptarit me shqiptarin apo shqiptarit me njerëzit në përgjithësi. Katastrofizimi i surratit të shqiptarit u bë i mundur si produkt i mardhënies së atij surrati me një send.
Dihen mardhëniet problematike të shqiptarit me sendet si kërrbaçi, huri, ushkuri, litari, sapuni, syzet, brisku, sëpata, sqepari, kalashnikovi, baruti, tritoli, kondomi, lahuta, libri. Por mardhënien më intensive shqiptari e ka pasur me një makinë, me një automobil të vogël rus të quajtur GAZ 69.
Ishin të gjithnjohur; “Gazi i drejtorit”, “Gazi i sekretarit”, “Gazi i shokut Kadri”, “Gazi i shokut Hekuran” etj. por Gazi ishte ideuar, projektuar dhe realizuar për tjetër “punë”. Për ndjekje, arrestime, internime.
“Gazi i Degës” së Punëve të Brendëshme, paraardhëses ilegale të Komisariatit të sotëm, ishte tmerri i rrugëve, rrugicave, lagjeve, fshatrave, sidomos fshatrave të internimeve.
“Erdhi Gazi” ! tmerronte të madh e të vogël.
Gazi të dilte përpara si ujk, të kalonte anash si dhelpër, të vinte nga mbrapa si hizër.
Gazi kalonte dhe frenonte zhurmshëm edhe pa ndonjë shkak të dukshëm, vetëm për t’i futur frikën miletit.
Jo rrallë dëgjohej të thoshin; “Më ndali Gazi te këmbët, ma bëri gjakun ujë”.
Vinte-ikte Gazi, mbahej-lëshohej fryma.
Misteri i shëmtimit dhe shfytyrimit monstruoz të surretërve të shqiptarëve të këqinj, spiunave, servilave, sahanlëpirësve, zorraxhinjve, dhe të gjithë edepsëzëve të tjerë, mund të kuptohet vetëm duke kqyrur mirë surratin e Gazit.
Surrati i Gazit, me parafango, fenera, xhama, llamarina, pasqyra, goma, ishte tamam surrat kafshe, surrat bishe, surrat vrasësi, surrat krimineli. E gjithë pështirosja njerëzore, egërsia, ftohtësia, ligësia, memecllëku, qorrllëku, shurdhllëku, budallallëku, tuhafllëku, turpi, llumi, mungesa e stilit, mungesa e elegancës, mungesa e finesës, dhe të gjitha mungesat e tjera, ishin në surratin e këtij përbindëshit metalik.
Surrati i Gazit dhe surrati i shqiptarit jepnin e merrnin me njëri-tjetrin.
Të jem a të mos jem si Gazi ?! ishte dilema që shqiptarët normalë i përgjigjeshin “jo” ndërsa zagarët “po”.
Fatkeqsisht, një numur shqiptarësh ranë në dashuri me Gazin si me xhelatin, duke bërë që në përgjithësi surrati i shqiptarit t’i ngjajë surratit të Gazit. Një popull i tërë ta linte surratin e vet të bëhej si surrati i një makine, kjo vetëm në Shqipëri ka ndodhur.
Gjatë dhjetra viteve fabrikat ruse dhe kineze që prodhonin Gaz-in, nuk i ndryshuan Gaz-it asgjë, nuk i bënë asnjë përmirësim, asnjë modernizim, nuk i ndërruan asnjë vidë, asnkë buton, asnjë llamarinë. Gazi nuk ishte bërë që ta ndryshonte Gazin njeriu. Gazi ishte bërë që t’i ndryshonte Gazi njerëzit.
Gazi, duhet ruajtur në muze’. Të thonë brezat e ardhshëm; S’bëjmë hajër se gjyshërit na i paska përdhunuar një makinë.