Lexova me vëmendje analizën tënde të sotme që shenjohej nën pyetjen se cili do ti bindë qytetarët, Lulzim Basha apo Edi Rama. Dakordësohem me argumentat e ngritura në analizën tënde, por ndjej se mungon një element tejet bazik që në fakt është edhe zanafilla dhe fundi i gjithë kësaj historie. Lulzim Basha ia la fushën të lirë Edi Ramës për gati të 4 vitet e tij të mandatit si Kryeministër. Shumëkush, përfshirë edhe veten time, ka qenë kritik për këtë qëndrim apatik, të Opozitës së Lulzim Bashës. Ka patur raste kur Opozita ka ngjasuar me një gafore që ecte mbrapsht e për të mos u kapur lëshonte këmbët e saj, por jo natyrën e saj klienteliste që vinte si inerci e pushteterimit 8 vjeçar. Opozita ka qenë e dyzuar edhe në qëndrimet e saj nëse ishte përballë një Shumice, apo në kalamendje mes Rilindjes së Edi Ramës dhe LSI-së së Ilir Metës. Edhe luftrat e proçeset e saj të brendshme, PD i përjetoi më shumë si ngjarje bezdisëse, sesa si mundësi për kuptueshmëri e ripërtëritje. E gjithë kjo frymë e mendësi opozitarizmi, u karakterizua edhe nga një element tejet pozitiv sipas pikëpamjes sime mbi demokracinë. Si asnjëherë e si askush tjetër më parë, Lulzim Basha ia la plotësisht të lira mundësitë dhe shtigjet, sheshet dhe kauzat, shoqërisë dhe aktivizmit civil. Mirëpo çfarë ndodhi? Klientelizmi dhe inercia e qeverisjes 8 vjeçare, po e mbanin Partinë Demokratike në gjendje mosrritjeje dhe mosfrymëzimi, sepse shpesh mbivendoseshin si kujtesë që vriste shpresë. Edhe çlirtësia dhe pangutshmëria e Bashës për të punuar me strukturat e PD, krijuan kaos dhe ngërç. Ndërsa fushëliria që la për shoqërinë civile dhe aktivizmin civil, rezultoi dështim total, jo për Bashën, por për këta të fundit. Shqipëria e ka ende muskulin e tij më të pazhvilluar, këtë muskulin e lëvizjeve civile. Shoqëria Civile është bërë një sektor rëndom punësimi, ndërsa aktivizmi civil është bërë si një qokë a sprovë pa idealizma e pa shërbesë, thjesht për të përfituar politikisht mbi kauza apo për të shitur e blerë kauza. Ndaj kthesa e madhe që Lulzim Basha mori në janarin e këtij viti, kishte një rëndësi madhore për të gjitha zhvillimet politike dhe institucionale në vend. Opozita apatike e deri para 18 shkurtit, kishte bërë që Edi Rama të gjigandosej në zullumet e tij dhe ti shihte gjithë të tjerët si xhuxha e liliputë. Ai nuk Qeveriste mê. Thjesht sundonte dhe instalohej pa patur asnjë ndjesi pengese a vështirësie. Fërkimet me LSI, vetëm sa e arsyetonin dhe justifikonin veprën e tij për tu zhytur më shumë në lakminë për gjigandizim. Aq me turr të madh e kishte marë këtë çështje, saqë çdo hesap mbi të nesërmen e bënte pa konsideruar askënd. Mendonte dhe besonte se ai ishte i vetmi rreth të cilit vallëzonin fatet e së nesërmes. Por ja që Lulzim Basha, ndali inercinë, shkëputi prangat e së djeshmes nga koka e tij dhe zbriti si mendjendarë në sheshin që e kishte lënë të lirë për 4 vjet. As dhunë, as makth, as ushqim urrejtjeje, asnjë marrëzi të tillë nuk bëri. Thjesht zuri sheshin që i takonte dhe e ktheu në një log qytetar, ku ai pret çdo ditë qytetarët, jo për ti bindur, por për tju bindur ai atyre. Qytetarët e kanë gjithmonë nevojën ta kenë të ngritur logun e protestës, sepse në një vend me kulturë të gjatë diktatoriale, autokratike dhe hajnokratike, qytetarët janë ngahera të rrezikuar prej atyre që janë në krye të qeverive. Basha ka zbritur në sheshin e qytetarëve dhe po u bindet atyre. Po kërkon ndjesë, po reflekton bashkë me qytetarët, po ballafaqohet me ta, po i sheh në sy e nuk po u shmanget as pakënaqësive të tyre me të, as ankesave të tyre për të, as mospranimeve të tyre për të. Po qëndron aty mes qytetarëve që të kuptojë sesi mund të jetë njëri prej tyre, jo i përsosur, madje plot mëkate por edhe i penduar dhe në premtim të përditshëm për të mos ripërsëritur të njëjtat gabime e mëkate. Gjithçka duhet të bêjë Basha, është të mos tutet, por të dëshmojë se është mendjendarë në atë log proteste. Të tjerat pastaj do të ndodhin vetë. Edi Rama tashmë nuk ka çbën më. Si mediokër i gjigandizuar nga mbipushteti, nga kanabisi e kriminalizimi deri në ashtë i shoqêrisë shqiptare, ai nuk ka më asnjë lëvizje që mund të bëjë e të mos e ekspozojë si Problem. Gjigandizmi i tij është edhe fati i tij. Ka dalë jashtë kohe dhe është i papranueshëm për Qytetin e Ri politik, apo Republikën e re, sikurse e quan Basha. Kur del jashtë kohe ose kur kthehesh në rrezik për Qytetin, ke dy zgjidhje, ose të tërhiqesh në ‘shpellën tënde’, ose të prishësh qytetin duke i shpallur luftë. Basha nuk ka nevojë ti shpallë luftë Ramës. Basha është në kohën e tij, në qytetin e tij, me qytetarët. Vetëm Edi Rama mund ti shpallë luftë Qytetit. Përpjekja e Edi Ramës për të bërë zgjedhje pa Opozitën, do të ishte shpallje lufte kundër qytetit dhe qytetarëve. Opozita nuk ka arsye pse të bojkotojë zgjedhjet. Opozita thjesht nuk duhet të lejojë që Edi Rama ti bëjë zgjedhjet si akt lufte kundër Qytetit dhe qytetarëve. E këtë Opozita mund ta bëjë krejt qetësisht me gandizëm të pastër. Lufta është zgjidhja e vetme e Edi Ramës. Gandizmi dhe moslejimi me trupat tanë i zhvillimit të zgjedhjeve nga Edi Rama si akt lufte kundër nesh, do ta bëjë Edi Ramën tu bindet qytetarëve. Qytetarët e kanë ndarë mendjen. Edi Rama duhet të ikë. Dhe do të ikë.

Nga Arian Galdini: Replikë me Blendi Fevziun: Basha nuk duhet të bindë qytetarët. Rama duhet tu bindet qytetarëve .
Total 0 Votes
0
0