Namir Lapardhaja: Njerëz, mos e humbni kujtesën!

Shkrime

(Në ndihmë të gazetares Beti Njuma, e cila do të përgatisë një dokumentar për vrasjen e poetëve Genc Leka dhe Vilson Blloshmi )

Namir Lapardhaja

U njohëm me një status të shkrimtarit të njohur, studjuesit, përkthyesit dhe poetit Agron Tufa, ku ftonte lexuesit, poetët, dashamirësit e poezisë për të lexuar poezitë e dy poetëve martirë, Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, pushkatuar nga diktatura komuniste në 17 korrik 1977, në një mjedis ku do të fliste për letërsinë edhe Diana Çuli, në bazë të ekspertizës të së cilës, plus edhe dëshmive false të disa fshatarëve, u dënua me vdekje poeti Genc Leka.

Në fakt, qe një gjest tejet qytetar i shkrimtarit të njohur, që beson te poezia dhe arti dhe bën aq sa mund për ta ruajtur të pastër nga ndotja duke filluar harresa e qëllimtë, te hipokrizia e deri të krimi.

Mjaft qytetarë, miq të artit dhe të poezisë, iu përgjigjën shkrimtarit Agron Tufa.

Miqtë e artit lexuan poezi të Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit, ndërsa Diana Çuli, gazetarja e preferuar e medias së shkruar dhe medias elektronike, drejtuesja e mjaft shoqatave të shoqërisë civile gjatë një çerek shekulli përpjekje për demokraci e në vijim, u fsheh, nuk u përball me poezinë e atij djali që ia shkroi dënimin kapital në ekspertizën e saj.

Veglat e tjera si hetues, prokuror dhe gjykatës vetëm sa shtuan frazën me vdekje, me pushkatim.

Për të plotësuar veprën e tyre kriminale gjetën edhe disa mjeranë në fshat, të cilët recituan ato që u kishte shkruar oficeri i sigurimit, se gjoja poetët u kishin thënë fshatarëve të mos punonin dhe për pasojë qenë kalbur patatet.

Dhe krejt si logjika kriminale e Diana Çulit në hartimin e domethënieve të paqena të poezive, prokurori shtoi se kjo përbën veprën e sabotimit, gjë që do t’i çonte poetët drejt pushkatimit.

Tekstet e ekspertizëë së shkruar nga dora e Diana Çulit për poezitë e Genc Lekës janë marrë në ligjëratë të drejtë nga prokurori për të ngritur akuzën dhe janë përdorur për të motivuar dënimin nga gjykatësi.

Nese do te lexohet ne te gjitha menyrat poezia e Genc Lekës “Oxhaku” është një poezi meditative, madje ne rregull edhe me nje nga kriteret e socrealizmit (partishmëria) kur thuhet: “Këtu rrodhën këngët partizane…”

Diana Çuli ka shpifur në ekspertizën e saj, duke sajuar domethënie që nuk ekzistojnë e duke ndihmuar në pushkatimin e poetit. (Shih ekspertizën e bashkëngjitur në postimin e Agron Tufës).

Agron Tufa është një poet i vërtetë, një intelektual i shquar që i dha zë zërit të vrarë të poetëve Genc Leka, Vilson Blloshmi, Havzi Nela, Trifon Xhagjika e deri te poeti hebre Osip Mandelshtam, i dënuar nga Stalini, të cilin e ka përkthyer në gjuhën shqipe kohët e fundit. Nderim për këtë qytetar e intelektual të rrallë!

Falsifikimi vazhdoi edhe sot e gjithë ditën, kur falsifikohet edhe në detaje: Thuhet në një reagim të gazetares B. Nj. se Diana Çuli ishte 22 vjeçe kur bëri krimin. Jo! Diana Çuli është lindur më 13 prill 1951. Genc Leka u arrestua më 1976 dhe u pushkatua më 17 korrik 1977.

Ekspertiza fatale është kryer në 19.11. 1976. Për pesë muaj Diana Çuli mbushte plot 26 vjeç.

Faji dhe turpi rëndon mbi të dhe mbi organet mediatike qe i hapin deren dhe mbi të ashtuqujturën shoqeria civile, e cila e ka oficere te vjeter drejtuese.

Nga kjo ngjarje gazetarja e talentuar e kulturës humbi një veprimtari letrare në qendër të së cilës ishte planifikuar Diana Çuli, që ndihmoi me shkrimin e saj në vrasjen e poetit.

Gazetarja B. Nj. nga kjo ngjarje ka mësuar shumë. Nuk mund të ndërtohet një projekt kulturor me vegla të diktaturës që e ngritën karrierën e tyrë mbi kufoma poetësh dhe vazhdojnë ta mbajnë këtë karrierë dhe të fitojnë të ardhura me hipokrizinë dhe manipulimin e organizmave të shoqërisë civile dhe nga fondet e taksapaguesve shqiptarë dhe europianë.

Fotografia e Namir Lapardhaja
Total 2 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?