Një nga problemet më të mëdha me njohjen është se njerëzit mund të përfundojnë në subjektivizëm të plotë duke e parë të gjithë realitetin si produkt të mendjes dhe shqisave. Clive Staple Lewis, një filozof i njohur, thotë se njeriu kur është përballë një trëndafili mund të bëjë “zbulimin e tmerrshëm” se ngjyra rozë e petaleve të tij është pasojë e nervit optik të syrit dhe aroma është pasojë e nervit ndijor të hundës. Ai thotë në të njëjtën mënyrë sot njerëzit kanë “zbuluar” se jetojnë në dy kuptime. Frojdianët kanë zbuluar se njerëzit janë një tufë kompleksesh, marksistët kanë zbuluar se njerëzit i përkasin një klase të caktuar ekonomike.
Kështu në qoftë se dikur diçka që ishte parë nga një numër i madh njerëzish merrej si e vërtetë, sot një frojdian do të kërkonte domosdo të zbulonte se çfarë kompleksi kishin ata që shpreheshin për këtë të vërtetë. Në qoftë se ata thotë Lewis do të besonin se mbretëresha Elisabeta ka qenë një mbretëreshë e mirë atëherë ata vuanin nga kompleksi i nënës. Një marksist do të kërkonte të zbulonte se cilës klase i përkasin këta njerëz. Në qoftë se ata do të mbronin lirinë ekonomike ata atëherë domosdo do të ishin pjesë e borgjezisë që kërkon shtet të vogël dhe pak taksa sepse ata duan që të fitojnë vetë. Shqipëria, debati publik dhe politik në vend është i mbushur plot me sjellje të tilla.
Partitë, deputetët dhe shumë personazhe të medias më shumë përpiqen të zbulojnë se pse një grup, një individ apo një parti mban një qëndrim, nga cili “kompleks” vuan, çfarë interesi apo halli e ka shtyrë në këtë qëndrim. Kjo gjë po ndodh edhe me mënyrën se si partia socialiste dhe gjithë njerëzit e qeverisë, sidomos në media, po trajtojnë protestën e opozitës, e cila siç dihet ka disa ditë që ka ngritur një çadër të madhe në bulevard.
Kërkesave dhe qëndrimeve të opozitës mbi kriminalizimin e parlamentit dhe qeverisë nga kryeministri, bojkot të kuvendit dhe mospranimit të zhvillimit të zgjedhjeve në kushtet e tashme qeveria iu përgjigj duke akuzuar se opozita e bën këtë gjë për të bllokuar pastrimin e gjyqësorit. Kryeministri shkoi në universitetin e Elbasanit dhe Shkodrës dhe foli në secilin mbi dy orë, gjasme në një leksion të hapur, dhe tha se opozita po proteston dhe po bojkoton nga frika e vetingut, nga frika e hetimeve të krimeve të saj.
Pra, ai saktësisht siç përshkruan Lewis nuk dha një përgjigje pse ka mbrojtur kriminelët, pse iu ka dhënë atyre pushtet, pse ata janë shumë të fuqishëm, pse vendi u mbush me hashash në atë që prokurori i antimafies italiane tha se është trefishuar në dy vitet e fundit.
Të njëjtën gjë bëri edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili ngriti një çadër tjetër, kinse e shoqërisë civile, në të cilën do të mblidheshin një milionë firma për vetingun. Veliaj tha se opozita, një pakicë e zhurmshme bojkoton dhe proteston sepse nuk do vetingun, kërkon të bllokojë Reformën në Drejtësi.
Ne dhe qytetarët, tha ai, duam vetingun dhe reformën e prandaj do të bëjmë një milion firma. Kjo dalldi vijoi në Durrës, në Elbasan, në Kukës etj., ku Taulant Balla, Ilir Beqaj, Olta Xhaçka etj., thanë të njëjtat gjëra: opozita proteston se ka frikë nga vetingu. Parlamenti në të cilin deputetët recituan njëri pas tjetrit akuzat ndaj opozitës, ishte një zgjatim i çadrave të mbledhjes së firmave.
Arsyet pse disa përpiqen të bëjnë zbulime se pse njerëzit sillen në një mënyrë të caktuar, cilës kategorie i përkasin apo nga cili kompleks vuajnë janë në radhë psikologjike, por ky është një diskutim tjetër. Fakt është që një sjellje e tillë ka prirjen të çojë gradualisht në humbje të sensit të realitetit. Partia Demokratike mund të ketë shumë arsye për të hyrë në këtë protestë të gjatë dhe me kërkesa të forta por që të shkohet deri te gjetja e arsyeve se pse ajo ka hyrë në protestë duhet një përgjigje mbi akuzat e opozitës për kriminalizim të parlamentit dhe institucioneve dhe mbi arsyet se pse ata vetë (ministrat, kryetari i Bashkisë Tiranë, kryeministri etj., nuk kanë frikë nga një gjyqësor i pavarur).
Është e vështirë të besosh se ministra që kanë disa dosje në prokurori për koncesione në shëndetësi, kryetarë bashkish që kanë prishur zona arkeologjike, kryetarë bashkish që kanë dhënë leje për kompani përpunimi mbetjesh që kanë vrarë (pa dashje) punëtorë të pasiguruar në Sharrë, është e pamundur të besosh se kryeministri, i cili i ka sharë gjykatat me gjithçka kur janë prekur vendime apo interesa të qeverisë nuk tha asnjë fjalë kur u lirua një bandë e akuzuar për terrorizëm, grabitje, vrasje etj.
Ligjërimi publik nuk mund të bëhet kaq pa kuptim në gjithçka sepse jo vetëm vendi do të vijë e do të hyjë në gjendje më të këqija, por tërë diskursi publik do të bëhet i pavlefshëm dhe atëherë edhe vetë përdoruesit e tij sot do të goditen dhe sulmohen nga e njëjta sjellje. Edhe komunizmi apo stalinizmi që e kishte kthyer këtë lloj sjelljeje apo njohjeje në normë supreme nuk mbijetoi dot. Në komunizëm apo stalinizëm po të pyesje se pse ka varfëri apo pse nuk ka ushqime do të pyesnin: Çfarë halli ka ky që pyet, ose ky pyet se është armik i partisë.