Nga Bledi Kasmi: Jemi vetëm 20 metra larg

Analize Kategoria

“Zoti Basha si e komentoni që zonja Mogerini nuk ka në axhendë një takim me ju?” ishte pyetja këmbëngulëse e gazetarit Fevziu për kryetarin e opozitës në mbrëmjen e së enjtes, vetëm pak orë pasi përfaqësuesja e lartë e BE për Çështjet e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë të mbërrinte në Tiranë.

Ndërsa Basha mundohej ta evitonte me diplomaci përgjigjen, pyetja përsëritej. Media të tjera afër qeverisë më herët kishin bërë publike axhendën e Mogerinit në Tiranë. Nuk dilte askund një takim me Bashën. Ishin lajmëruar takime me Nënkryetarin e Parlamentit, Spaho dhe kryetarin e Grupit parlamentar të PD, Paloka, po askund nuk jepej takimi i kryetarit të opozitës me Mogerinin. Lajmi i qeverisë në media ishte përcaktuar si kryetitull; Mogerini nuk do ta takojë Bashën”.

E ngjashme skena mediatike me atë që ndodhte muaj më parë, kur zyrtarë të lartë të administratës amerikane vinin në Tiranë dhe nuk lejoheshin nga i njëjti person të takonin Metën, dhe lajmi që pasonte ditën tjetër ishte; SHBA nuk e do Metën. Kësaj here Rama dështoi. Në fund të ditës së djeshme Mogerini ndaloi për më shUmë se 50 minuta të dëgjojë opozitën dhe Bashën, vetëm pak metra larg çadrës së qëndresës ku dëgjoheshin më shumë se ditët e tjera thirrjet; Rama ik! Çfarë ka ndodhur? Rama nuk e donte atë takim. Nuk donte që zëri i opozitës të dëgjohej. Kishte shumë në fakt që nuk e donin këtë takim dhe megjithatë ndodhi. Kamerat e fiksuan në konferencën e shtypit në Kryeministri të nxirë. Goja i merrej dhe fjalitë ishin pa kuptim. Në fakt duhet ta ketë kuptuar se Europa nuk po i bën më llogaritë me interesat e Bankës së Lindës ku shumë ngjyejnë gishtat me mjaltin e parave të grabitura shqiptarëve në ishujt Cayman.

Ajo që ndodhi dje është simbolika politike e asaj çfarë duhet kuptuar. Rama ka ngritur një paltformë politike për ta nxjerrë opozitën jashtë sistemit. Jashtë sistemit të zgjedhjeve dhe jashtë sistemit të drejtësisë. Dhe ja ka arritur, sot opozita është nxjerrë me përdhunë nga sistemi. Reforma në Drejtësi që u miratua me konsensus më 22 korrik, u shkel me këmbë. Në vend të saj u ngrit një përbindësh ku filtrin e kontrollit të prokurorëve dhe gjyqtarëve që do të jenë në sistem e ka kreu i organizatës kriminale. E nxorën jashtë nga sistemi i Reformës në Drejtësi dhe tani kërkojnë ta marrin me qira për vetëm një ditë të vetme, duke i thënë voto se na duhet numri i votave dhe ik prap jashtë. Ku është parë kjo? Vetëm në Republikën e një të Çmenduri. Opozitën e kanë nxjerrë jashtë nga sistemi i zgjedhjeve të lira. Këtu nuk bëhen më zgjedhje.

Votat blihen një javë përpara ditës së zgjedhjeve, por opozitës po i thuhet, hajde dhe legjitimo regjimin tonë, duke u paraqitur formalisht në zgjedhje. Ku është parë kjo? Vetëm në kohën e Frontit Demokratik që “konkurronte” me partinë–shtet që i fitonte me 99.99% të votave zgjedhjet. Meqë nuk e duan opozitën në zgjedhje, meqë nuk e duan tek Reforma në Drejtësi, atëhere opozita po gjen vetveten. Ajo është në shesh. E nxorrën jashtë sistemit dhe ajo po qëndron jashtë tij me të vetmin qëllim dhe detyrim ndaj këtij vendi; për ta përmbysur këtë sistem kriminal. Jemi tek çadra, vetëm 20 metra larg zyrë së tij.

Basha me të rinjtë: Kriminelët dhe filozofinë e krimit në parlament e heq vetëm vota e lirë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *