Mbrëmë Lulzim Basha deklaroi se nuk do të ishte pjesë e takimit me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini në Tiranë, por sot gjërat ndryshuan dhe në axhendën e saj është parashikuar edhe një takim me kryedemokratin në orën 19:45, siç konfirmoi News 24. E për këtë duket se një person brenda Partisë Demokratike ka bërë përpjekje të vazhdueshme.
Burime të BalkanWeb thonë se, Kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu është impenjuar personalisht që prej tre ditësh të zhvillojë biseda me diplomatë ndërkombëtarë, me qëllim që axhenda e zonjës Mogherini të përfshijë edhe liderin e opozitës. Dhe ashtu ndodhi.
Kryedemokratit Basha i është dhënë mundësia t’i shprehë nga afër përfaqësueses së lartë të BE-së këndvështrimin e tij, të flasë për protestën dhe aksionin opozitar.
Kujtojmë se sot në mëngjes ai është takuar me tre përfaqësuesit e PD-së, që do të jenë në takimin me Mogherinin, nënkryetarin e Kuvendit, Edmond Spaho, kreun e grupit parlamentar të PD, Edi Paloka dhe Kryetaren e komisionit të integrimit, Maljinda Bregu.
Fill pas këtij takimi ata iu bashkuan aleatëve opozitarë në një mbledhje, për të diskutuar ftesën e dialogut nga mazhoranca, në përfundim të së cilës vendosën edhe 4 kushte:
1-Zbatimin e plotë të ligjit të dekriminalizimit.
2-Luftë efikase kundër narkotrafikut, krimit të organizuar dhe parave të drogës.
3-Përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
4-Zbatimin e reformës në drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut.
Po cila është e vërteta? Mogherini e cila është zyrtarja e vetme e BE që po mbron aferën e Romana Vlahutin me vilën 1.6 milionë Euro, duket se kishte vendosur të krijonte një incident në shenjë hakmarrje ndaj liderit të opozitës, si shërbimi i radhës ndaj bujtësit të shpeshtë të vilës, kryeministri Rama.
Por me shumë gjasa Basha ka qenë i prerë. Në rast se shmanget shefi i opozitës, në takimin e Mogerinit nuk do të ishte asnjë përfaqësues i opozitës.
Duke qenë se turi i Mogerinit në Shkup dhe Beograd ishte i mbushur me incidente, zyrtarja italiane e BE nuk kishte luksin të kishte një mbyllje me incident edhe në Tiranë. Po sot shtypi austriak sulmon Mogerinin për vilën e Vlahutin në Tiranë.