Janë shumë faktorë që e luftojnë egërisisht protestën e Opozitës, në qindra forma të nëndheshme.
E para pushteti që sot protesta ka kundër, është realisht i fortë. Marrëveshja Meta-Rama, ndonëse duket gjithmonë në buzë të greminës, vijon të qëndrojë e paepur dhe ndër dhuratat e shpeshta që Meta i ka bërë Ramës, duke filluar që nga viti 1999, kjo është një nga dhuratat e tjera të paçmuara, që kryetari i LSI, vijon të bëjë për kryeminsitrin e sotshëm. Sepse dhe se nga buron ky qëndrim i Metës, është thjesht e politikisht e pakuptueshme, por realiteti është ky.
Mirëpo protesta e Opozitës, nuk ka pse demoralizohet, nga llogjika e ftohtë e numrave, që “specialistët” e sondazheve, përgatisin për të impresionuar dhe për të “orientuar” politikën.
Sepse nuk është e panjohur dhe nuk është mister, që edhe sipas këtyre sondazheve, kjo qeveri është në pikën e vet më të ulët të besimit dhe të preferancave. Prandaj dhe është mobilizuar si asnjëherë më parë ndonjë establishment qeveritar në Shqipëri, “të thërrasë nën armë”, Skuadrone killerash dhe trafikantësh, që janë sot si ca reparte paraushtarake në rëzervë, për të sulmuar Zgjedhjet dhe për të impresionuar kundërshtarët e shumtë politikë, që sot Kryeminsitri ka.
Mirëpo ka gjithmonë një llogjikë tjetër që koha dhe zullumi qeveritar ja ka sjellë në favor Opozitës. Shumica e njerzve janë të zhgënjyer rëndë. Janë papunë dhe të përbuzur e të poshtruar nga administrate shtetërore grabitqare. Jo se kjo është ndonjë risi socialiste, e kësaj qeverie, por asgjë ska ndryshuar dot për mirë.
Edhe teatraliteti i kryeshefit të qeverisë që shpërndan tapi elektorale, që është një spektakël mjeran për të thithur vota, rrëfen se sa e zbrazur është pjata bosh e bilanceve dhe e rezultateve.
Basha ka kundërshti të mëdha në këtë protestë, edhe sepse paratë në qarkullim janë të shumta dhe janë realisht të ndjeshme dhe përdoren bollshëm kundër Opozitës.
Shumica e mediave më të mëdha, janë tashmë proqeveritare dhe në kulmin e biznesit me qeverinë dhe kjo është një fitore e madhe e qeverisë së sotme.
Sikur të mos mjaftonte kjo, edhe vetë Partia Demokratike nuk është e bashkuar në qëndrimet e veta, në lidhje me qëndrueshmërinë e kësaj proteste dhe sidomos në lidhje me paralajmërimin serioz që ka bërë dhe përsëritur Basha, se Partia më e madhe e Opozitës nuk do të hyjë në zgjedhje të përgjithshme, me këtë qeveri dhe me këtë kryeministër.
Mirëpo nëse donim një reformim edhe të PD, pas katastrofës elektorale 2013, ky është shansi që kjo Parti ka, për t’u ngritur nga hiri i vet, simbas mitit të ringjalljes së Feniksit. Është një sfidë torturuese nervash, sepse trysnia qeveritare është në majën e vet më të lartë dhe struktura morale e politikanëve që rrethojnë sot Bashën, është në të shumtën e vet, e squllët dhe llogaritare e interesave të vogla personale.
Dhe këtu fillon ose mbaron, koha e Bashës, te energjia dhe aftësia për të ndërtuar në Çadrën e Protestës, një Parti të Re Demokratike, me sa më pak shushunja të vjetra, politikanë të sklerotizuar që u merret goja, apo kanë humbur gojën dhe veçse numërojnë paratë e fshehura llogarive bankare nëpër botë, apo nën dyshek dhe me frikën se mos kapen.
Për fat të Bashës, këta sojlinj të politikës, që flirtojnë natë e ditë më kryeminsitrin për të kapur ndonjë llokëm apo për tu amnistuar, rrinë vetë larg Protestës, duke dhënë mesazhe kuptimplota në adresë të qeverisë.
Basha, e ka këtë betejë, politikisht për jetë a vdekje, për vete dhe për Partinë Demokratike dhe fati e solli që kjo betejë është në krahun e duhur Moral dhe në krahun e duhur të së Drejtës popullore.
Ai duhet ti mbajë dhëmbët shtrënguar dhe të hedh në këtë zjarr proteste opozitare, të gjitha resurset njerzore dhe jo vetëm. Ndryshe rrezikon të digjet vetë i pari në zjarrin e kësaj proteste dhe ta lerë Shqipërinë pa Opozitë.
Mirëpo misionet e vështira, në kohë të vështira dhe me plot delenxhinj dhe tradhëtarë skutash rreth e rrotull, ndërtojnë vetvetiu liderin e ri, nëse Basha e ka vetëdijen e duhur për rolin që ka sot në shoqërinë shqiptare. /360grade.al