Nga Indrit Vokshi: Jo, falemnderit!
Ne shqiptarët skemi pasur demokraci të fortë por, a se kuptoni se Rilindja kishte projekt shfuqizimin e pretendimit për demokraci?
Kjo me justifikimin se populli shqiptar u lodh me rrëmujë këto 23 vjet – tashti duhet rregull, hyqëm, shtet, kontroll i qeverisë deri edhe në kapakun e bidesë së banjos.
Dhe ja ku na solli, pa media opozitare që pa na ndodhur Rilindja i kishim, pa shoqëri civile që pa na ndodhur Rilindja e kishim, pa biznesmenë që guxojnë të financojnë hapur opozitën të cilën pa na ndodhur Rilindja e financonin hapur.
Ka të drejtë kryetari i Rilindjes Socialiste kur thotë se tashmë jemi në një epokë të re. Jemi në epokën kur ne duhet të fillojmë të mësohemi se duhet të jetojmë pa kërkuar demokracinë e rrëmujshme dhe lirinë e shfrenuar që kishim.
Duhet të fillojmë të mësohemi me diçka që Rilindja ka menduar se është më e mirë për ne, na bën më mirë për shëndetin fizik dhe mendor.
Na disiplinon, pasi pejgamerët e anti-Zotit nervzohen po të na shohin të padisiplinuar, ndaj duan të na udhëzojnë edhe si t’i lajmë duart. Nervozohen po të na shohin se pasurohemi, ndaj ndjekin edhe plakën më të vjetër për t’ia konfiskuar domatet.
Pra ne duhet të mësohemi me demokraci të kontrolluar nga shteti, jo të pretendojmë demokraci që kontrollon oreksin e shtetit. Duhet të kënaqemi me aq liri sa na lejon qeveria, se mund të mos e kemi as atë. Kjo është.
Por ne duhet t’i themi, jo, falemnderit. Nuk pranojmë ta këmbejmë Demokracinë me Rilindjen.
Sepse hyqmi, shteti me dorë të hekurt i levërdis vetëm Rilindjes – për të sunduar. Kurse demokracia iu levërdis shqiptarëve për tu zhvilluar si komb