Basir Çollaku: Protesta, qytetari është si të kesh Zotin përballë

Analize

Me 18 shkurt, opozita ka lajmëruar se do të zhvillohet një protestë, ku mbarëshqiptarët do të jenë në Tiranë e do të dëshmojnë kundërshtinë e tyre të theksuar ndaj realitetit, duke qenë konkret në kërkesa, radikalë në mosdakortësi me qeverinë, duke nisur kështu një lëvizje mbarëkombëtare. Partia Demokratike dhe aleatët, kanë qenë prej muajsh në denoncime ngjarjesh të shumta, për lidhjet e pushteteve me krimin, korrupsionin, rrezikun e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kushtëzimet e pjesëshme, janë parë të pamjaftueshme në raport me sjelljen e qeverisë dhe mazhorancës. Historia dhe trashëgimia e protestave në Shqipëri, është me një grafik të çrregullt, ku kahja nuk anon nga zgjidhjet, por më shumë nga zgjedhjet. Protesta më e madhe dhe e vetmja e atyre përmasave e zhvilluar nga qytetarët është ajo e dhjetorit 90-të, e papërsëritshme më pas si në formë ashtu edhe përmbajtje. Të tjerat janë nismuar, drejtuar, organizuar, nga subjektet politike, të cilat në jo pak raste kanë dalë edhe nga kontrollet, duke sjellë kosto jo të pakta, deri në jetë njerëzish. Arkivi i protestave shqiptare, është në mijëra në numra, por me gishta dore në produkt. Më të shumtat kanë qenë turizëm shoqatash, shoqëri projektesh, deri në administratë shëtitëse me urdhër halli. Kjo qeveri, ka pasur përballë një opozitë jo të shumtë në numra, por të shtrirë në ngjarje, kallzime, beteja institucionale, ku kartonat e shumtë në numër të mazhorancës, kanë prodhuar arrogancë në mjaft vendimmarrje. Opozita ia ka dalë të çkriminalizojë në masën më të madhe politikën, duke dëshmuar diferencën e saj në erespekt të ligjit. Sot gjendemi në hon plot rrezik, sepse janë pakësuar fort liritë e përditshme, duke e nisur me atë të të shprehurit, ekonomike, mirëqenien në rënie, krimin në rritje, abuzimet e frikshme. Këto ndodhi të marra veç e veç por edhe së bashku, kanë tejkaluar domosdoshmërinë e një riformatimi të qëndrimit opozitar. PD dhe aleatët në këtë mandat të qeverisjes Rama-Meta, e kanë përdorur instrumentin e protestës, shumë herë më pak, se here të tjera kur PD ka qenë në opozitë. Berisha dhe Basha, kanë arkiv të ndryshëm si në numra ashtu edhe model protestash, kjo jo vetëm për shkak të viteve të ndryshme në krye të partisë, por edhe qasjes ndaj këtij reagimi, duke qenë konservator jo në të njëtën formë. Tashmë Basha ka ndërmarrë një tur proteste në të gjtihë Shqipërinë, duke kërkuar vënien e qytetarit përballë mazhorancës, e qeverisjes së saj, duke vënë Qytetarin përballë. Në këtë 18 shkurt opozita po bëhet qytet, duke u lexuar si domosdoshmëri qëndrimi, për të ndaluar, frenuar, e mos lejuar të ndodhë një rrënim i shumëanshëm, shenjat e të cilit prej shumë muajsh, sa vinë dhe vetëm shtohen. Ka një mënyrë për të mos braktisur vendin, ka një shteg për të mos ikur nga sytë këmbët, ka një mundësi përballje me të keqen dhe të padobishmen, ka një vend ku qytetari kërkon llogari pa kushte ndaj çdo lloj qeverisjeje, ka një kohë të cilën nuk mund ta zëvëndësosh me mungesë, është momenti kur qytetari vendos të përballet, të protestojë, të thotë Jo. Kur qeveritë kanë Qytetarin Përballë, kur mosdakortësia publike bëhet shumicë, kur qëndrimi i qytetarit kundër veprimeve të qeverisjes të zë rrugën e përditshme, kur shkërmoqja e të drejtës së tij bëhët ditë punë e të zgjedhurit apo të emëruarit, atëherë qytetari nuk pajtohet me heshtjen. Në këto raste partitë politike opozitare dhe energjitë qytetare, duhet ti përvishen realitetit e të mos rrinë skutave kokëulur, nën strehë kompromisesh, duke përdorur rastin si çiflig të dhuruar. Domosdoshmëria ka thirrur në emergjencë përballjen. Qytetar-Qeveri. Kur krimi i ka marrë terren pushtetit, frika përhapet me shpejtësi të pakontrolluar, ndaj opozita duhet ta shndërrojë në mission ndoshta të përsëritur vrasjen e saj. Vrasjen e frikës. Pritshmëria te sistemi i drejtësisë, si mundësi për të rritur besimin e vrarë të keqen, është më shumë komedi që hahet e arnuar tre vakte në ditë, se sa shpresë. Qelitë për të inkriminmuarit janë shndërruar shpesh si një turizëm sezonal për të fortët dhe ferr për kundravajtësit. Kjo mbjell frikë krahasueshëm me hashashin, por njëherësh lind një truall për zhbërjen e qytetarit. Duke i bërë shqiptarët banorë të frikës, brenda tre viteve, mazhoranca e Ramës, ka bërë realitet dy Shqipëri, njëra që ikën nga vendi i saj dhe njëra që hesht në vendin e saj. Parlamenti, pushteti, politika, janë kthyer në një garë ku të fortët e botës së nëntokës vendosin përbërjen dhe parcelizojnë të ardhmen. Kështu ata janë Frika ndërsa qytetari heshtja deri në një farë pragu. Ndaj 18 shkurti ka sërish një mision. Jo thjesht si mbivendosje e simbolikës së viteve 90-të, por si pengesë e domosdoshme, për të mos u kthyer pas në Shqipërinë e vjetër, atë Shqipëri të cilën sot nuk do të donte ta jetonte askush, as ata që e krijuan të tillë, të cilët teorikisht lakojnë BE-në më shumë se etërit e tyre dikur.. Zgjedhjet e 18 qershorit mund dhe duhet të jenë një protest përmbyllëse, në vijim të asaj të 18 shkurtit, ku qytetari i vendosur përballë, arrin të mundë sërish ata që frikën e kanë mekanizëm të përjetësimit të pushtetit të një numri njerëzish përjetësiht të njëjtë. Çdo qeveri duhet të hapë sytë, veshët, mendjen dhe të lexojë me shumë kujdes. Kur ka qytetarin përballë, ajo duhet të kuptojë thjesht se ka Zotin përballë, nëse e llogarit ndryshe, atëherë ka nisur vetëndëshkimin.

0 0 votes
Article Rating
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments