Maks Velo: Agolli? Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve është organizata më kriminale.

Kulture

Për Dritëro Agollin kam folur që kur ishte gjallë. Kemi pasur disa raste, ku jemi gjendur përballë, si në Paris në 1998, apo edhe në aktivitete të tjera dhe nuk kam pranuar kompromise.
Dritëroi ishte interesaxhi i madh dhe i veçantë, me ato të ngrënat e të pirat si dhe favoret që bënte. Sigurisht që ndihmonte edhe ndonjë, për ndonjë bursë, apo për punë, por të gjithë ata që ndihmoi ishin të nivelit mesatar, po nuk është kjo që duhet vlerësuar. Unë kam thënë këtë gjë: Në tërë historinë e shoqatave artistike që janë krijuar, që nga Antikiteti deri më sot, duke përfshirë edhe Rusinë, edhe vende të tjera të Lindjes, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve është organizata më kriminale. Edhe për këtë unë e akuzoj. Atë dhe Kujtim Buzën. Pse u hoqën Dhimitër Shuteriqi, Vilson Kilica, Hamide Stringa, Ksenofon Dilo? Të katër u hoqën dhe u vunë këta. Dhe këta bënë gjithçka. Ekspertizën time e bënë tre vetë Kujtim Buza, Foto Stamo, Skënder Milori. Tre funksionarë të Lidhjes. Ata bënë ekspertizën, ata thanë “ky është krimineli” dhe si thua ti se nuk kam bërë gjë?! Nuk mund të dalësh sot i pafajshëm, kur sekretari dhe të tjerët ishin direkt pjesëmarrës në shumë krime të tilla.
E para kjo, dhe e dyta është ajo që kam thënë edhe më herët: Asnjëherë Dritero Agolli nuk kërkoi fjale, në emër të institucionit që drejtoi. Duhej të kërkonte falje: “Ne si Lidhje kemi gabuar”. Nuk ka kërkuar falje! Jo vetëm kaq, por edhe më shumë. Kur në Rusi, Fadejevi, kryetari i Lidhjes, kur lexoi raportin e Hrushovit për Stalinin, vrau veten. Edhe Dritëro duhet ta bënte, po të ishte burrë. A je ti që ke thënë për Enverin këto gjëra? Ç’është kjo hipokrizi e madhe tani? Këtej e lavdëron dhe në 1991 e shan?! Ky është kulmi! Ti ishte numri një i Lidhjes dhe vjen në Kongresin e Partisë dhe shan Enverin?! Të paktën rri e hesht, “kam gabuar” e rri aty. Si e shan tani? Domethënë ti je fare i poshtër, një herë e lavdëron e një herë e shan! Këtu nuk bëhet fjalë për një punëtor që nuk dinte e nuk merrte vesh, që e lavdëronte kot, por ti i dije të tëra. Nga ta kapim?! E vetmja fjalë e krijuar prej tij është “shkërdhatokraci”. Po se nuk dërgoi Fatos Nano një telegram, a të shprehej diku për Agollin? Asnjë rresht! Sepse Agolli “shkërdhatokraci” e tha si presion për të marrë e bija licensën e panaireve ndërkombëtare për të fituar miliona, që ishte pronë e shtetit e që paratë t’i merrte populli, por i mori Dritëroi. Prandaj e mbron Elona sot. Pse të mos e mbrojë?! Antikomunistët e vërtetë të Shqipërisë, krenaria e kombit janë ata politikanë, intelektualë, artistë e shkencëtarë që u pushkatuan, u burgosën. Ata janë heronjtë e vërtetë dhe të mëdhenj që e parashikuan dhe e kundërshtuan atë sistem gjakatar. /360grade.al

Total 2 Votes
1

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?