Pas publikimit të kontratës për blerjen e një vile me vlerë 1.6 milionë euro nga delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri,zyrtarët e Brukselit kanë nisur veprimet. Kryetarja e Komisionit për kontrollin e Buxhetit në Parlamentin Europian, Inderborg Graessle nëpërmjet një letre i kërkon llogari shefes së Shërbimit të Jashtëm në BE, Frederica Mogherini.
Letra e publikuar nga ‘Panorama’ është e datës 15 shkurt dhe përmban 11 pyetje të detajuara.
Pyetja nr.9 është qershia mbi tortë, ku Mogherini pyetet të japë përgjigje mbi lajmin se në delegacionin e BE-së në Shqipëri janë punësuar nga Vlahutin kushërinj të ministrave të Ramës.
Pyetjet e eurodeputetes për Mogerinin
EEAS (Zyra e Veprimit të Jashtëm në BE) bleu nje rezidence ne zonen e Rolling Hills, në Tiranë. Jemi bërë me dije se cmimi i vilës prej 345 m2 ishte 1.65 ml euro që do të korrespondonin me vlerën 4780 euro për m2.
- A mundet Komisioni ti konfirmojë këto shifra sa më lart?
- Nëse po, cila ishte arsyeja për atë cmim për m2 meqënëse cmimi mesatar për pronë në të njëjtën kategori dhe në të njëjtën zonë, Rolling Hills, duket se varion 1000-2000 euro për m2?
- Cila ishte arsyeja e blerjes së pronës së shtrenjtë në vend që të merrej ajo pronë ose një tjetër me qera?
- A është nisur një procedure prokurimi publik? Sa oferta janë marrë?
- A mund të na informoni mbi datën ekzakte të fillimit të negociatave për pronën e re dhe datën në të cilën është firmosur kontrata e blerjes?
- Kush i drejtoi këto negociata?
- A ka ndonjë hetim të OLAF në proces?
- A mundet ju lutem të listoni numrin e stafit (lëvizjet në staf) nga koha e nisjes (jo zyrtare) të negociatave deri në firmosjen e kontratës së blerjes?
- A është Zyra e Veprimit të Jashtëm në BE në dijeni mbi ndonjë të afërm të anëtarëve të qeverisë shqiptare që punojnë në delegacion?
- Në publik, shohim akuza për korrupsion ndaj një zyrtari të lartë të delegacionit. A mundet të na konfirmoni ndonjë hetim?
- A heton Zyra e Veprimit të Jashtëm të BE bashkë me Komisionin procedurat e rekrutimit?