“Victory” në Rumani dhe 18 shkurti i opozitës. A do arrijë PD-ja tubimin maratonë?

Shkrime

NGA AMBROZIA META.

Opozita pritet të dalë në shesh më 18 shkurt për të protestuar kundra qeverisë, në një tubim që pati si shkëndijë mospranimin e votimit dhe numërimit elektronik , por që ka të grumbulluar brenda akuzat dhe pakënaqësitë 3 – vjeçare të demokratëve, ndaj qeverisë Rama. E paralajmëruar jo si protestë, por si një lëvizje mbarë popullore, pritet që tubimi i 18 shkurtit të kthehet në një rezistencë të gjatë të Partisë Demokratike, që shpresën për zgjedhje të lira dhe të ndershme, nuk e sheh më në tavolinën e komisionit të reformës zgjedhore dhe as tek ndërkombëtarët.  Ndërkohë që Partia Demokratike e Shqipërisë po mobilizon strukturat për  një kryengritje  kundra qeveria, mijëra kilometra larg, në sheshin “Fitorja” të Bukureshtit prej  ditësh  qytetarët po protestojnë  masivisht  kundër qeverisë. Kauza dhe fitorja  e tyre e parë ishte anullimi i dekretit që parashikonte faljen e zyrtarëve të lartë të dënuar për korrupsion. Por megjithëse kryeministri u tërhoq nga dekreti që shfajësonte  politikanët për shkeljet me fondet deri në shumën 48 mijë dollarë, duket se rumunët nuk janë tërhequr aq lehtë. Ata janë kthyer sërish në shesh, në një tubim maratonë për të kërkuar dorëheqjen e shefit të ekzekutivit Sorin Grindanu, duke e cilësuar ende të papërmbushur mision e tyre demokratik, në një vend  ku qeveria është mjaft e korruptuar.

Shqipëria si Rumania

Protestat e ditëve të fundit në Rumani,të cilësuara si tubimet më mëdha anti – qeveritare që nga rënia e  diktatorit komunist Nikolae Çaushesku, duket se kanë qenë një frymëzim për opozitën shqiptare. Kryedemokrati Lulzim Basha në daljet e fundit publike tha se  është rradha e shqiptarëve të ngrihen si në Rumani, duke shprehur bindjen se vetëm me vullnetin e popullit mund të rrëzohet qeveria, e cilësuar nga demokratët si e kriminalizuar. “ E pamë në Rumani, tani është radha e shqiptarëve të ngrihen kundër papunësisë, kundër shëndetësisë së kolapsuar, kundër arsimit në ditën më të zezë, kundër diskriminimit të rinisë që i është lënë emigracioni si rruga e vetme,” –  deklaroi  Basha disa ditë më parë, gjatë një takimi me të rinjtë. Bindjen se këtë herë të djathtët nuk do të dorëzohen lehtë e përforcoi edhe ish – kryeministri Berisha i cili gjatë seancës së shkuar plenare deklaroi se opozita  nuk o të largohet nga sheshi pa rrëzuar qeverinë. “Ndaj të zëmë sheshin, të betuar që s’do largohemi pa shpëtuar vendin nga këta banditë që votën tuaj e shndërruan në pushtet bandash, në mbështetje të krimit, e shndërruan në krim, e shndërruan në izolim. Këtë betejë do ta fitojnë ata gra dhe burra, djem dhe vajza që do betohen për të mos iu ndarë protestës deri në rrëzimin e këtyre. Kurrë ndonjëherë në histori, një protestë e zgjatur nuk ka dështuar dhe të jeni të sigurtë që do i shihni këta si do ja mbathin si minj, s’ do gjëjnë vrimë ku të futen,” – theksoi ish-kryeministri Berisha.

Fate të njëjta

Në pamje të parë, nëse e gjykon Bukureshtin nga bukuria  e ndërtesave, duket se ngjashmërinë më të madhe e ka me Parisin, por nëse flasim për fatin e vendit, gjithmonë e më shumë i ngjan Tiranës. Rumania dhe Shqipëria vuajnë sot pasojat e rënda të korrupsionit, i cili rrënjët i ka tek pushteti, përcjellin çdo vit mijëra emigrantë dhe madje edhe mediat përjetojnë të njëjtën censurë.

Nëse fatet mes tyre janë kaq të ngjashme, a do të jetë edhe rezistenca e njëjtë? Pyetjen e ka menduar të gjitha ata që kanë dëgjuar deklaratat e fundit të selisë blu, që flasin për një paralelizëm mes protestave masive në Bukuresht dhe protestës së 18 shkurtit në Tiranë. Është ende e mjegullt sesa qytetarë do binden të marshojnë në sheshin para kryeministrisë, pas thirrje të opozitës. Vështirësia e parë e kampit blu për t’a kthyer 18 shkurtin në një tubim maratonë është pamundësia e njerëzve për të qëndruar gjatë në shesh. Megjithëse lideri demokrat ka nisur prej muajsh një tur kombëtar takimesh me qytetarët dhe po punon për një hapje të Partisë Demokratike nuk dihet,  nëse deklaratat e tij kanë zgjuar shpresën e munguar tek njerëzit. E njëjta frikë u përcoll edhe nga kritikët e brendshëm të partisë, të cilët deklaruan më herët se strukturat ende nuk janë gati për të dalë në shesh . Një tjetër ndikim mund të jetë fakti që tubimi organizohet nga opozita dhe nuk është një iniciativë  e vetë qytetarëve për të protestuar kundra qeverisë. Kjo mangësi vjen edhe sepse shoqëria shqiptare, në këto dy dekada  i ka të pakta organizimet vetjake për të dalë në tubime. Nga ana tjetër, pamundësinë për të pasur një skenar protestash si në Rumani e përforcon edhe klisheja e krijuar tek shqiptarët, se kasta politike e ngjitur në karriget e pushtetit nuk mund të rrëzohet nga thirrjet e njerëzve,që vijnë  nga poshtë dritares. Gjithmonë e më shumë Bukureshti dhe Tirana kanë fate të ngjashme, po a do kenë të njëjtën qëndresë?!

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?