Ekonomi

Shqipëria e treta në Europë, për varësinë e lartë nga burimet e rinovueshme të energjisë më 2020

Për arsye të mungesës se diversifikimit të burimeve prodhimit të energjisë në këto 30 vitet e fundit, Shqipëria renditet e treta në Europë për varësinë më të lartë nga burimet e rinovueshme.

Të dhënat e fundit të Eurostat tregojnë se, në vitin 2020 burimet e rinovueshme të energjisë përbënin 37% të konsumit bruto të energjisë elektrike në BE , nga 34% në 2019, ndërsa Shqipëria e ka 100 % këtë varësi duke u renditur e treta të pas Norvegjisë dhe Islandës, të cilat mbulojnë nevojat e konsumit vendas me energji të rinovueshme dhe janë suficitare përkatësisht 113 dhe 102.7%.

Energjia e erës dhe hidrocentralet përbënin mbi dy të tretat e totalit të energjisë elektrike të prodhuar nga burimet e rinovueshme (përkatësisht 36% dhe 33%) ne BE. Një e treta e mbetur e energjisë elektrike erdhi nga energjia diellore (14%), biokarburantet e ngurta (8%) dhe burime të tjera të rinovueshme (8%).

Energjia diellore është burimi me rritje më të shpejtë: në vitin 2008, ajo përbënte vetëm 1% të energjisë elektrike të konsumuar në BE.

Ndryshe nga këto vende, Shqipëria e ka të përqendruar prodhimin e energjisë së rinovueshme në hidrocentrale, teksa nismat për prodhimin e energjisë nga dielli dhe nga era kanë mbetur në vend.

Ndër vendet anëtare të BE-së, më shumë se 70% e energjisë elektrike të konsumuar në vitin 2020 është prodhuar nga burime të rinovueshme në Austri (78%) dhe Suedi (75%).

Prodhimi i energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme ishte gjithashtu i lartë dhe përbënte më shumë se gjysmën e energjisë elektrike të konsumuar në Danimarkë (65%), Portugali (58%), Kroaci dhe Letoni (të dyja 53%).

Në anën tjetër të shkallës, pjesa e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme ishte 15% ose më pak në Maltë (10%), Hungari dhe Qipro (të dyja 12%), Luksemburg (14%) dhe Çeki (15%), Kosova me vetëm 5.3 % dhe Moldavia me vetëm 3.1%.

Përdorimi i energjisë së rinovueshme ka shumë përfitime të mëdha në mjedis, që përfshin zvogëlim të emetimeve të gazrave serë, diversifikimin e furnizimeve të energjisë dhe një varësi të ulët nga tregjet e karburanteve fosile (në veçanti, nafta dhe gazi).

Rritja e burimeve të ripërtëritshme të energjisë mund të stimulojë gjithashtu punësimin në BE, përmes krijimit të vendeve të punës në teknologjitë e reja ‘të gjelbra’.

Vendet e BE-së kishin synim që energjia nga burimet e rinovueshme të zinte 20% të konsumit të saj bruto të energjisë përfundimtare deri në vitin 2020. Në fund të vitit 2019 ky synim u realizua 19.7%, krahasuar me 9.6% në 2004.

Ky zhvillim pozitiv është nxitur nga objektivat që u bënë të detyrueshme ligjërisht për rritjen e pjesës së energjisë nga burimet e rinovueshme të miratuara nga Direktiva 2009/28 e BE mbi promovimin e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme.

Ndërsa BE-ja, si një e tërë është në rrugën e duhur për të përmbushur objektivat e saj të vitit 2020, disa Shtete Anëtare do të duhet të bëjnë përpjekje shtesë për të përmbushur detyrimet e tyre në lidhje me dy synimet kryesore: pjesën e përgjithshme të energjisë nga burimet e rinovueshme në konsumin e përgjithshëm bruto të energjisë. /Monitor

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?