PD kallëzon në SPAK Veliajn

Aktualitet

Partia Demokratike ka kallëzuar penal në SPAK Erion Veliajn, për ndërtimin e kompleksit të pallateve tek 5 Maji.

Sipas PD-së, ky kompleks iu dha për ndërtim një trafikanti droge në kundërshtim me ligjin.

REAGIMI I PD
Partia Demokratike ka kallëzuar sot në SPAK Kryetarin e Bashkisë Tiranë Erjon Veliaj dhe zyrtarë të tjerë të Bashkisë Tiranë për shpërdorim detyre dhe shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera. Në kallëzim evidentohet se Bashkia Tiranë si autoritet kontraktor ka kualifikuar dhe shpallur fitues në tenderat e rindërtimit në lagjen 5 Maj në Tiranë, me vlerë më shumë se 10 milion euro, kompaninë në pronësi të shtetasit Anton Gjinaj alias Pashk Rapi, person me rekorde të rënda kriminale.

Pronari i kompanisë është një person i dënuar për trafik droge në Itali dhe Spanjë, zotërues i shoqërisë Alesio 2014 sh.p.k. Sipas Ministrisë së Brendshme të Malit të Zi, Anton Gjini është anëtar i një organizate kriminale, e cila në vitin 2006 organizoi dhe koordinoi importimin, magazinimin dhe shitjen e mëtejshme të 50 kilogramëve heroinë në territorin e Spanjës dhe për këtë rezulton të jetë i dënuar me 8 vite e 9 muaj burg.

“Sipas ligjit për prokurimet publike autoriteti kontraktor ka detyrimin për të skualifikuar një operator ekonomik, kur anëtari i një organi administrativ, drejtues ose mbikëqyrës i atij, aksionar ose ortak i kompanisë është i dënuar për organizim, drejtim ose financim i veprimtarisë së prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, si dhe i veprimtarisë së trafikimit të narkotikëve. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, në cilësinë e tij si titullar i autoritetit kontraktor, duke shpërdoruar detyrën dhe duke shkelur ligjin e prokurimeve publike, ka injoruar këtë detyrim, duke konsumuar veprat penale të sipërcituara”- thuhet në kallëzimin e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi.

Gjithashtu në kallëzim kërkohet nga SPAK që të kryhet një hetim i plotë dhe i gjithëanshëm për aferën e projektit zhvillimor në njësitë administrative 4 dhe 8, zona “5 Maji”, dhe paraqitjen e kërkesës në gjykatë për vendosjen e sekuestros preventive ndaj projektit, sipas nenit 274 e vijues të Kodit të Procedurës Penale, për të pezulluar këtë projekt deri në përfundim të hetimeve.

Një ditë më parë, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi akuzoi Sali Berishën se po shpif ndaj demokratëve për të mbuluar skandalin e ndërtimit në lagjen 5 maji nga një trafikant droge i lidhur me familjarë të tij dhe me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj.

  • foto galeri
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?