Politika, të rinjtë dhe tranzicioni !

Analize Shkrime
SKERDJAN DHULI
Me një temë të tillë dje PD mblodhi një grup të rinjsh nga forumi rinor për të diskutuar mbi tranzicionin politik.
Shumë nga të rinjtë e asaj salle ishin vitlindje e pas 2000 por edhe ne që jemi brez i fillimit të demokracisë e që sot kemi moshën e tranzicionit, e dimë po njëlloj se nëse ka diçka absolute në këto 30 vjet, është degradimi i politikës.
Shoqëria u zhvillua shumë këto 30 vjet. Me të mirat e të këqijat e saj siç natyrshëm do ndodhte për një shoqëri të dalë nga izolimi, por sidoqoftë u zhvillua.
Ekonomia u zhvillua gjithashtu. Pavarësisht se me hapa të ngadaltë.
Çdo fushë e jetës mori rrugën e duhur edhe pse ndoshta jo aq sa duhet, vetëm një fushë mbeti në stanjacion, madje ndër vite degradoi. Politika.
E nisi me intelektualë e të rinj me dinjitet e idealistë antikomunistë. Më pas rrugës një nga një ata u përjashtuan dhe vendin e tyre e morën konjukturalët e pragmatistët, bijtë e komunistëve, më pas rrugën drejtë saj e gjetën edhe kokëboshët, huliganët, ata që mendjen e kanë vetëm për funksionimin biologjik të trupit.
Rrugës u pa e udhës se as këta nuk mjaftonin, duheshin edhe kriminelët.
At, ku nuk gjendej rruga për të hyrë vetë, krimi fuste një marionetë të cilit/ës i paguan edhe mbijetesën shumë të shtrenjtë që kërkon politika me kushtin e panegociueshëm që ky/kjo do jetë shërbëtor i interesave të krimit.
Mund të jetë një imazh i një ose më shumë persona dhe njerëz në këmbë
Ku arriti sot e gjithë kjo rrugë ? Tek stacioni i fundit. Zhgënjimi dhe distancimi i të rinjve të mirë nga politika.
Gjithnjë e më pak shoh ti afrohen politikës të rinj cilësorë. Të rinj me vlera, moral, profesionistë, idealistë, njerëz me identitet politik, me mendime origjinale e jo recitime.
Dikush mund të thotë se ky është modeli që i serviret. Ndoshta.
Por unë besoj se të rinjtë me cilësitë e mësipërme duhet me patjetër ta mendojnë seriozisht angazhimin në politikë sepse distancimi i tyre e ka kthyer politikën në arenë manekinësh recitues dhe ja ka bjerrë cilësinë e saj gjithnjë e më shumë duke e lënë një skelet pa jetë.
Të rinjtë të cilët janë të mirë e të shkolluar ja kanë borxh vendit angazhimin e tyre edhe për shkak se vendin që duhet ta zënë ata, të lënë bosh e zë dikush që nuk ka asnjë nga cilësitë e duhura dhe duke u kalbëzuar partitë politike sot, degradon Shqipëria nesër.
Nëse partinë e uzurpojnë kokëboshët, servilët dhe manekinët që komandohen me pult, Qeveria dhe Shqipëria e nesërme do jetë një dreq me brirë i ngjashëm me këtë të sotmin që mban si modelin e së keqes Edi Ramën dhe krejtë çfarë ai mbledh pas.
Ndaj çdo prind i cili ka investuar vlerat më të mira tek fëmija i tij, duhet ti thotë atij: Angazhohu. Vetëm kështu e ardhmja është e sigurtë e më e mirë.
E kundërta thjeshtë do shtojë radhët nëpër ambasada për viza pune dhe radhët në tregje për blerje valixhesh.
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?