Botohet libri “Tinka Kurti, ditari i një bashkëshorti”

Kulture

Promovohet në Tiranë, libri “TINKA KURTI, Ditari i një bashkëshorti” të autores Anila Mema. Libri është një përmbledhje e ditarit të bashkëshortit të aktores, Palokë Kurti, i cili është mbajtur ditë pas dite, që nga shfaqja e parë e Tinka Kurtit dhe deri në vitet 1990, kur ai u nda nga jeta.

Në bredësi botimi sjell imazhe të aktores, të shfaqjeve, kujtimeve dhe rasteve kur asaj nuk i jepeshin rolet që donte, ose rolet që meritonte. Ditari i bashkëshortit të saj zbardh kohët e vështira të të bërit art, si dhe problematikat që dilnin gjatë punës.

Pjesë nga libri:

26. “Këshilli i ndrikullave” nga Sheri Mita

Regjia: Serafin Fanko

Shfaqet për herë të parë në datën 19.XI.1969

Ka interpretuar rolin e Ndrikullës së I (Domja)

Mendime të Tinkës për rolin:

E gjithë trupa mbas dy shfaqjeve jo frytdhanëse, ishte në kërkim me gjetë nji komedi dhe na solli këtë. Gjoja simbas tij, ishte shkrue për ne. Kur e lexuem thamë me vehte; “ç’ne kjo komedi për rrethin e Shkodrës, ku satirizon tri ngjalkat e Korçës?” Bile as titullin nuk e kishte “Këshilli i Ndrikullave” po “Ngjalkat”. Pati edhe situatë të lezetshme. E dhamë nji mendim në kolektiv, që sikur këto “Ngjalkat” ti ndrronim në “Ndrikulla”, kurse Leonidhën ta thërrisnim Leo, dhe ta interptretonte Tano Banushi këtë figure.  E kështu ndodhi. Tekstin e kthyem në dialekt shkodran, emnat i vumë nga Thomaillë – Dhimitrullë, në Çini Bela e Domja, emna qensh ma shumë, e filluem punën. Aq bukur asht’ procedue sa as dita nuk na u dukte e gjatë me shkue në punë. Tanoja krijonte situata të mrekullueshme gjatë provave. Na tri të marrat,

shkriheshim me të. Aq shumë u përsëritshin ato skena, kaq shumë impovizojshim sa, kur dojshim me ba ndonjë lidhje serioze, nuk dijshim se cilin variant me zgjedh. Shfaqja ishte euforike, sa vetë ne aktorët shikojshim me kënaqësi se çfarë gjëje të re do të nxjerrshim në këtë çfaqje. Dhe të marrësh e të lexosh tekstin (pa dashtë me nënvleftësue autorin), nuk ka asgja të përbashkët. Vetëm, se na ishim nji herë “Tri ndrikulla e një Leo” kaq mund të thuhesh se kanë të përbashkët të dyja.

Me thanë nji kuriozitet. Në aktin e parë, kur Domja kërkon me marrë në telefon Leon, unë merrsha numrin e drejtorit dhe thosha:

– Ou drejtori im, po ky dreq ka me e dit se jam unë, më pushon në vend.

Jovanin për këtë gjë e kishim sinjalizue dhe vinte e ruante çdo shfaqje mbas siparit, andej nga ishte telefoni. Unë e dijsha se ishte aty dhe vazhdojsha me marrë po atë numër. Po ai ç’asht’ e vërteta, nuk më tha kurrë gja. Me këtë çfaqje konkurruem edhe në Festivalin e Komedisë. Nuk fitoi çmim. Çmimim për komedinë më të mirë e fitoi Durrësi, por “Ndrikullat e Leo” morën medalje.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?