Fatmir Xhafaj: Korrupsioni, në çdo nivel të qeverisjes”

Aktualitet Politike

Xhafa: Teksa selia e PD-së fatkeqësisht vijon të nxjerrë tym të zi derisa të digjen plotësisht të gjitha zullumet, intrigat, autokracitë dhe gënjeshtrat që kanë berishizuar dhe lulëzuar për vite me radhë aty brenda, nuk duhet të lejojmë që ai tym mbytës të na zërë shikimin për të hedhur vështrimin edhe në dimensione të tjera ku duhet të orientohemi si politikanë, si ligjvënës dhe si shqiptarë, që të sotmen e duam më të mirë se të djeshmen dhe të nesërmen më të mirë se të sotmen.

Nuk kam për qëllim t’i tregoj askujt se çfarë duhet të bëjë, por nën peshën e rëndë të votës së qytetarëve, kam për detyrë të flas hapur për atë çka na shqetëson dhe preokupon për të propozuar ide e zgjidhje që s’vijnë nga unë, por nga modelet më të mira të demokracive perëndimore, që pavarësisht niveleve të larta ku kanë arritur, nuk ndalojnë kurrë se ngrituri mekanizma për t’i shpëtuar amortizimit, stanjacionit dhe për t’u konsoliduar akoma më tej.

Një prej tyre është i freskët, i qartë dhe sfidues, ku me 3 qershor 2021, Presidenti amerikan, Joe Biden, vendosi luftën kundër korrupsionit si një interes thelbësor të sigurisë kombëtare të SHBA-së dhe veç 6 muaj më pas administrata Biden-Harris miratoi strategjinë për luftën kundër korrupsionit nën pesë shtylla që përforcojnë njëra-tjetrën:

1. Modernizimi, koordinimi dhe ofrimi i burimeve për përpjekjet e qeverisë amerikane në luftën kundër korrupsionit;

2. ndalimi i financimeve të paligjshme;

3. vendosja para përgjegjësisë të aktorëve të korruptuar;

4. ruajtja dhe forcimi i arkitekturës shumëpalëshe kundër korrupsionit;

5. përmirësimi i angazhimit diplomatik dhe shfrytëzimi i asistencës së huaj për të arritur qëllimet e politikës kundër korrupsionit.

Siç është e njohur tashmë, kjo u pasua edhe nga një samit organizuar nga Presidenti amerikan në muajin dhjetor, me liderët politikë nga gjithë bota, aktorë të shoqërisë civile dhe sektorit privat i fokusuar në tri tema kyçe:

1. forcimi i demokracisë dhe mbrojtja kundër autoritarizmit;

2. adresimi dhe lufta kundër korrupsionit; 3. promovimi dhe respektimi i të drejtave të njeriut. Një samit i shndërruar në një lëvizje, që me suksesin e pritshëm, mund të bëjë histori nisur nga zhvillimet delikate ndërkombëtare që jetojmë dhe posaçërisht nga sfidat që përballet sistemi demokratik përgjithësisht dhe demokracitë e reja veçanërisht. Akoma më tepër, kur demokracitë janë të brishta duke u rrotulluar prej dekadash në tranzicion të tejzgjatur si ky yni, nevojitet një qasje serioze për të ofruar progres në qëndrueshmërinë ekonomike, sociale dhe politike.

Nëse për SHBA-në dhe shumë vende të tjera me demokraci të konsoliduar këto problematika konsiderohen prioritete, atëherë për ne duhen konsideruar emergjente. Ndaj le të shërbejë iniciativa e tyre si një leksion primar, jo vetëm demokracie, por edhe politik, për të mësuar, reflektuar, implementuar dhe vepruar në të njëjtin ritëm e strategji.

Sot duhet pranuar që këto sfida janë emergjente, pavarësisht përpjekjeve të mëdha që kemi bërë bashkërisht nëpërmjet një sërë politikash dhe masash për të luftuar korrupsionin në të gjitha fushat, ndërtimin e instrumenteve të qëndrueshme për luftën ndaj korrupsionit dhe krijimin e një sërë institucionesh të pavarura, të cilat janë pjesë e luftës ndaj korrupsionit. Fatkeqësisht, përsëri besimi tek institucionet e ndryshme të qeverisjes mbetet në shifra të ulëta dhe korrupsioni mbetet realisht një plagë në shoqërinë shqiptare.

Pavarësisht se duam apo nuk duam ta pranojmë, preferojmë apo nuk preferojmë ta themi me zë të lartë, ai është aty, duke na sfiduar çdo ditë, në çdo sektor dhe në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe për fat të keq, shpesh gjejmë bashkëpunimin e zi midis politikës së të gjitha krahëve, korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ky është fakt, të tjerat janë veç fjalë qoftë dje, qoftë sot.
Megjithëse këto vite është bërë shumë punë, që para së gjithash meriton respekt për nismat e marra, reformat në implementim dhe bilancin e arritur deri më sot, përsëri ngelet e pamjaftueshme në raport me problematikat serioze që shfaqen, përgjegjësitë e mëdha që mbartim, por edhe me kapacitetet e mëdha institucionale e administrative që kemi angazhuar e financuar në zbatimin e ligjit.

Ashtu siç u theksua fort në samitin e Uashingtonit, është korrupsioni dhe pandëshkueshmëria ato që hanë si të babëzitur në themelet e shoqërive demokratike, çka e bën qeverisjen më pak efektive, sulmon bazat e institucioneve demokratike, nxit dhe intensifikon ekstremizmin dhe e bën më të lehtë për autoritarizmin të gërryejë qeverisjen demokratike.

Andaj, në reflektim të angazhimeve tona ndërkombëtare si pjesë aktive e këtij samiti ndërkombëtar, si vend anëtar i NATO-s, si vend kandidat për familjen europiane dhe, para së gjithash, si domosdoshmëri për të mbrojtur e konsoliduar demokracinë në vend, për të ruajtur e forcuar besimin e qytetarëve te sistemi demokratik dhe institucionet e tij, për të ushqyer shpresën e fortë te rinia për një të ardhme të sigurt demokratike të shoqërisë, duhet të nisim një betejë të fortë institucionale e publike, gjithëpërfshirëse, për të vepruar ndaj këtyre fenomeneve me pasoja të egra dhe afatgjata politike, ekonomike dhe sociale

Meqenëse viti 2022 është konsideruar një “VIT VEPRIMI” për të çuar përpara qëllimet e samitit ku edhe Shqipëria ishte pjesë, përfaqësuar nga Kryeministri, z. Edi Rama, është tani momenti që të gjithë bashkërisht duhet të nisim një debat të sinqertë publik, të ngremë ura komunikimi me njëri-tjetrin e të gjithë aktorët të nxjerrim mësime nga praktikat më të mira ndërkombëtare, të hartojmë një platformë gjithëpërfshirëse dhe të organizojmë struktura efeciente e të mirëbesuara që do të vendosen në veprim. Mbi të gjitha, na duhet të veprojmë pa shumë retorikë konfliktuale, por me ide, zgjidhje e veprime konkrete të peshuara me rezultate konkrete.

Teksa lufta politike mëton në të njëjtat ujëra të ndotura 30-vjeçare, ku “non grata”-t vijojnë të shkarkojnë helm dhe turbullira, ne si maxhorancë që udhëhoqëm një ndër reformat më thelbësore në këtë vend, Reformën në Drejtësi, në përligjje edhe të mandatit qeverisës të tretë radhazi, e kemi obligim të gjendemi në kahun e duhur të moralit shoqëror dhe historisë, e cila ashtu siç do të shkruajë për bravat e levat, ashtu do të shkruajë edhe se si po përballemi me sfida të tilla. Sigurisht, kjo është dhe duhet të ngelet shumë më mirë një angazhim parësor i qeverisë.

Shumë hapa janë pozitivë në këtë aspekt e sidomos në aspektin rregullator dhe të dixhitalizimit të shërbimeve publike. Por ndërkohë, në shumë aspekte gjithçka mbetet në nivelin e strategjive formale dhe një pjesë e mekanizmave ekzekutivë dhe institucioneve të zbatimit të ligjit në varësi të saj, megjithëse janë të ndërtuara për këtë funksion, janë ineficiente dhe pa produkte konkrete

Qeveria dhe ne si maxhorancë, para se të shohim çfarë duhet të bëjë drejtësia dhe institucionet e saj, duhet të shohim se çfarë janë duke bërë institucionet tona ligjzbatuese dhe se sa e si ato janë në një hap dhe në bashkëpunim të frytshëm me drejtësinë e re. Padyshim, nga ana tjetër, të gjithë ne, qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë kanë pritshmëri të larta nga institucionet e reja të drejtësisë të ndërtuara posaçërisht për luftën kundër korrupsionit. Projekti i drejtësisë së re është një realitet në veprim. Tashmë është përgjegjësia e tyre të dëshmojnë pavarësi reale, vullnet e përgjegjshmëri në zbatimin e ligjit.

Janë aty me dëshirën e tyre, kanë konkurruar për të qenë pjesë e kësaj sfide të jashtëzakonshme, paguhen mjaft mirë dhe mbrohen e mbështeten si askush tjetër në këtë vend për këtë qëllim specifik: të ndëshkojnë pandëshkueshmërinë e mitizuar duke goditur me forcën e ligjit simbiozën “politikë e keqe- korrupsion–krim i organizuar”.

Është koha për rezultate reale, konkrete e domethënëse në zbatim të Kushtetutës, ligjit dhe interesit të lartë publik. Në dhjetor, Partneriteti për Demokraci i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan mirëpriti një tjetër takim ndërkombëtar me fokus 3 çështjet kyçe të samitit, duke i parë ato nga këndvështrimi i rolit të ligjvënësve në këto fusha jetike për demokracinë. Një mësim i vyer për reflektim edhe për ne deputetët shqiptarë. Kjo sepse Kushtetuta realisht na përcakton ne deputetëve, si përfaqësues të popullit, një përgjegjësi kyçe për shkak të funksionit ligjbërës dhe mekanizmave të koordinimit, monitorimit e kontrollit të pushteteve të tjera dhe veçanërisht rolit ekskluziv të Kuvendit për institucionet e pavarura.

Kjo edhe për faktin e rëndësishëm se vetëm përmes Kuvendit, sidomos në kushtet aktuale, mund të garantojmë gjithëpërfshirje në këtë proces të politikës para së gjithash, por edhe shoqërisë civile, grupeve të interesit, medias dhe sipërmarrjes private. Edhe vetëm reflektimi mbi rekomandimet ndërkombëtare në këtë fushë, si Raport-progresi i BE-së, Manyval, Greco etj., do të ishte një hap minimal, por i domosdoshëm. E gjithë kjo mund të përmblidhet në një paketë strategjike për t’u vendosur në zbatim hap pas hapi nën monitorimin dhe mbikëqyrjen parlamentare, çka do ta bënte atë shumë më gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme në kohë dhe padyshim edhe më rezultative.

Siç e dimë, korrupsioni, e sidomos ai i niveleve të larta, vret çdo ditë, gërryen të sotmen, humbet besimin e qytetarëve te shteti dhe institucionet e tij, dhe kryesorja, po vret shpresën e të rinjve tek e ardhmja e tyre. Ne kemi nevojë për më shumë shkolla, spitale, energji, rrugë, aeroporte, porte e shumëçka që sjell zhvillim ekonomik dhe ndryshimet e mëdha që po ndodhin në këtë aspekt janë tejet pozitive, por para së gjithash, kemi nevojë për të konsoliduar akoma më tej një shtet të fortë, për shpresë e besim te qeverisja e drejtë dhe e barabartë e tij.

Demokracitë nuk i bëjnë më të forta dhe të qëndrueshme muret dhe betoni, as individët e fortë, sado vullnetmirë të jenë ata, por shteti i së drejtës dhe institucionet e qëndrueshme që kanë si parakusht integritetin. Shqipëria është vendi ynë ku po ndërtohet e ardhmja e fëmijëve tanë, ndaj të cilëve kemi përgjegjësi politike, ligjore, morale dhe historike për të trashëguar një vend me demokraci të qëndrueshme, me shtet të së drejtës dhe institucione të përgjegjshme në zbatimin e ligjit.

Koha për “luftë” demokratike në emër të paqes ashtu si partnerët tanë dhe familja demokratike euro-atlantike! Në mos ne, atëherë nga kush do të presim të përballet me këtë sfidë; në mos sot, atëherë kur do të duhet të nisim ta bëjmë?

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?