Rama: Mos investoni për futboll në biznese private

Aktualitet

Kryeministri Edi Rama, ka zhvilluar këtë të martë një takim me Komitetin Olimpik, pjesë e së cilës kanë qenë edhe disa ministre të kabinetit qeverisës.

Rama tha gjatë fjalës së tij, se duhet të krijohen programe sportive për të rinjtë në të gjithë territorin e vendit. Ai nënvizoi se bashkitë duhet të investojnë në terrene sportive e jo në klube futbolli private, që nuk sjellin asgjë veçse kryejnë evazion fiskal.

“Përqendrimi i fëmijëve është më i madh te elektronika dhe i munguar në pjesë të tjera të rëndësishme dhe të pa zëvendësueshme të njeriut. Programi i sportit sigurisht që do të na ndihmojë për të filluar një spostim të rëndësishëm të aktivitetit nga pjesa e aktivitetit që sot zhvillohet në qytete të ndryshme e informale, në rrethe sportive që janë në informalitet të plotë. Rrethe e klube ku prindërit shpenzojnë para, në një hapësirë që prodhon edhe aktivitet social. Synimi është të ndërtojmë skuadrat për çdo shkollë 9-vjeçare, gjimnaz, universitet dhe të krijojmë edhe kompeticione sportive në nivel qarku e kombëtar. E gjitha kjo është e pamundur të bëhet nëse drejtoritë dhe ZA nuk marrin përsipër të bëjnë pjesën e tyre. Është e pa imagjinueshme për mua që pas një periudhe më shumë se 1 mujore, pjesa më e madhe e Bashkive nuk japin përgjigje për disa kërkesa shumë elementare të bërë nga ministrja për Rininë, e më pas edhe Komiteti Olimpik, për të pasur dijeni për terrenet që janë në dispozicion. Inventarin e palestrave, shkollave, s’e kemi të vështirë ta bëjmë. Po flasim për terrenet sportive në dispozicion, ato që janë të hapura dhe ato që janë potencialisht të transferueshme në potenciale sportive. Më pas do të vendosim se si do të shpërndajmë financimet me bashkitë për këto terrene. Palestër si ajo kur luante ekipi i Studentit ku ishte në kategori të parë s’kanë sot shkollat. I kanë më optimale kushtet.

Të gjithë këtë infrastrukturë duhet ta shtojmë sepse nuk është kudo, por do e vendosim në dispozicion të këtyre aktiviteteve në nivel bashkie, qarku, në nivel kombëtar. Ama duhet njëkohësisht të rriten terrenet sportive të hapura, ato komunitare nëpër lagje e deri nëpër njësitë administrative në zonat rurale. Po si do e bëjmë këtë ne, kur nuk marrim në dispozicion sipërfaqen nga ana e bashkive. Mund të jetë dukur si ushtrim burokratik, e nuk e keni marrë seriozisht, por besoj që ky takim na jep të gjithëve një ide të qartë të ambicies që është program i rëndësishëm. Është i rëndësishëm për shëndetin e fëmijëve, kulturën sociale, është i rëndësishëm për edukimin e fëmijëve dhe të rinjve. Është i rëndësishëm kundër atyre hijeve që vijnë vërdallë shkollave e kërcënojnë jetën përmes ofertës dhe veseve të këqija. Të mirat e sportit janë të panumërta dhe të mirat e këtij programi janë të panumërta. Varet nga ne se sa tërheqës e me impakt do të arrijë të jetë ky program. Një gjë është e sigurt, kudo tek të gjithë komunitetet kërkesa për të qenë të ndihmuar e shoqëruar nga strukturat e pushtetit vendor edhe nga qeveria në aktivitetin e tyre sportiv është insistuese. Na takon ne tua japim vajzave dhe djemve të këtij vendi që janë nëpër shkolla mundësinë.

 

 

Fondi në dispozicion është i konsiderueshëm. Duam që organizimi të jetë domethënës. Të ndërtojmë rrjetin e skuadrave, të vendosim në dispozicion rrjetin e trajnerëve, të kemi po ashtu rrjetin e personave nëpër bashki që do të merren me këtë program. Të kemi patjetër edhe strukturat e qeverisë dhe të bëjmë me këtë program një bum në aspektin e një hapësire të re kulturore dhe sociale për mijëra e mijëra fëmijë. Është shumë fisnik si qëllim, është fisnik si objektiv. Do i lutem të gjithëve të vendosen në dispozicion. Është mundësia për të rritur sipërfaqen e bashkive në dispozicion të aktivitetit sportiv, qoftë në terrene të mbyllura dhe të hapura. I sugjeroj kryetarëve të mendojnë për të projektuar një qendër sportive në territorin e tyre. Një qendër me më shumë se sa një palestër dhe fushë afër. Një qendër olimpike, si modeli i Korçës. Mbi të gjitha duhet të kemi një qendër ku duhet të materializohen momentet kulmore të aktivitetit sportiv dhe patjetër duhet të stërviten ekipet e Bashkisë. Na duhet të fillojmë me vizionin, më pas hap pas hapi me projektet e më pas me financimet. Na duhet me patjetër të ndërtojmë një qendër olimpike në Tiranë, për të dhënë të gjithë aktivitetin jashtë futbollit të përfshihet.

Na duhet një rishikim nga ana juaj si Bashki i qasjes me fondet e sportit. Harxhohen lekë për futboll për biznese private kot. Duhet ndërtuar një qasje tjetër, me të ardhurat nga taksat, jeni të gjithë në të drejtën e zotit dhe detyrimin ndaj qytetarëve të financoni sportin për të gjithë. Nuk mundet dot që me paratë e taksapaguesve të stimulohet rrugaçëria, shëmtia, pisllëku, nuk mundet. Bashkitë duhet të futen në bashkëpunim me klube futbolli, por mund të hyjnë për të mbarë mbrapsht investimin”, tha Rama.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?