Rama flet për daljen e të dhënave personale dhe qendrën e re kibernetike

Aktualitet

Kryeministri Edi Rama ka folur për daljen e të dhënave personale në ceremoninë e mbajtur sot për firmosjen e marrëveshjes me “Jones International” për krijimin e një qendre për sigurinë kibernetike në vend. Ai tha se ishte një ngjarje e rëndë, por që ka ndodhur dhe në vende nga më të zhvilluarat që theksoi rëndësinë për t’u mbrojtur nga sulmet kibernetike, apo dhe ato nga brenda institucioneve.

Rama u shpreh se një aspekt i marrëveshjes ka të bëjë me garancinë se kapaciteti për të dëmtuar nga individë do jetë shumë i kufizuar dhe se do ketë mure mbrojtëse nga ndërhyrja e individëve.

“Para pak kohe ne patëm një ngjarje të rëndë, rrjedhjen e disa të dhënave personalë që lidhen me pagat e punonjësve në Republikën e Shqipërisë, një ngjarje që ka ndodhur edhe në vende nga më të zhvilluarat, por që na jep mësimin se nuk janë vetëm sulmet anonime kibernetike prej të cilave ne duhet të jemi të mbrojtur, por janë dhe sulmet nga brenda prej personave të infiltruar, të paguar, qoftë dhe të papërgjegjshëm, prandaj e vlerësoj shumë dhe aspektin e marrëveshjes që ka të bëjë pikërisht edhe me garancinë se kapaciteti dëmprurës i individëve do jetë shumë më i reduktuar dhe se një sistem i tërë i rritjes së cilësisë së burimeve njerëzore në të gjithë rrjetin e njerëzve që merren me shërbimet dixhitale dhe mbrojtjen kibernetike do të vihet në funksion, ashtu siç do të vihen në funksion dhe programe të posaçme për të siguruar se aftësia e cilido individi për ta penetruar sistemin do jetë shumë e kufizuar, pasi sistemi do jetë i tillë që do ketë mure mbrojtëse dhe nga ndërhyrja e individëve”, tha Rama.

Sipas tij, është një lajm shumë i mirë dhe për ata që u lënduan padrejtësisht nga dalja e të dhënave personale dhe një e keqe që nuk erdhi vetëm për keq.

 

“Në një farë mënyre besoj se dalja e të dhënave personale për pagat ishte një e keqe nuk erdhi vetëm për keq siç thoshte gjyshja ime pasi shqiptarët panë me sytë e tyre dhe një problem që sot e kemi më të lehtë ta adresojmë, në aspektin e marrëdhënies ligjore dhe morale të shumë punëdhënësve me shtetin dhe punonjësit ashtu si kundër të gjithë qytetarët përjetuan efektet negative të një sulmi mbi sistemin çka e bën marrëveshjen e sotme edhe më të mirëseardhur pasi vijnë nga një eksperiencë e freskët dëmtuese dhe sot jam i bindur se kush na ndjek e shikon me lehtësim përfshirjen tuaj në këtë përpjekje të qeverisë shqiptare”, deklaroi kryeministri Rama.

 

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?