Daja vlerëson Vllazninë, ja e vërteta me Alban Hoxhën

Sport

Vllaznia-Partizani është pa diskutim sfida më emocionuese që rezervon java e 12-të, një përballje direkte që mund të thotë jo pak mbi të ardhmen e dy ekipeve, për objektivat e tyre këtë sezon. Partizani kërkon me ngulm vazhdimësinë dhe ky është testi më i fortë për të treguar potencialin e këtij ekipi. Ilir Daja pranon se të kuqtë kanë shfaqur oshilacione këtë sezon, kjo mbi të gjitha në lidhje me rezultatet, për këtë arsye për momentin gjëja më e rëndësishme janë pikët, pastaj loja:

Vllaznia – “Vllaznia ka bërë një kampionat shumë të mirë vjet dhe e ka startuar edhe këtë sezon shumë mirë. Më kujtohen fjalët e një trajneri të Dinamos, i nderuari Bejkush Birçe që thonte ‘një lojë e bukur mbahet mend një javë, ndërsa rezultati hyn në histori’. Përballjet me Vllazninë janë ndeshje ku brenda është dhe kënaqësia dhe vështirësia. Ata luajnë një futboll të hapur, kjo shihet dhe nga golavarazhi, luhet në një vend që është komod se stadiumi ‘Loro Boriçi’ është një nga stadiumet e reja të Shqipërisë. Pavarësisht se tifozët shkodranë do të bëjnë tifo për skuadrën e tyre, dihet që nëse luan bukur dhe nëse merr pikë në Shkodër mund të dalësh edhe i duartrokitur. E gjitha kjo panoramë, do të thoja që ka edhe vështirësinë e vetë dhe bukurinë e saj për të luajtur futboll në Shkodër.”

Deshira e lojtarëve – “Në këto ndeshje të fundit ku kemi marrë fitore, kryesorja ka qenë dëshira dhe sakrifica e lojtarëve për të shkuar te rezultati. Unë do të kërkoja vazhdimësinë që të bëhet një miksim ku motivimi, dëshira dhe sakrifica të jenë të parat.”

Oshilacionet dhe gjendja e skuadrës – “Ne kemi paraqitur oshilacione në marrjen e rezultateve, duhet të stabilizohemi në momentin e parë në marrjen e rezultatit, pastaj për të pretenduar edhe më tepër. Kemi ndryshuar, por që ende nuk jemi ende aty ku duhet të jemi. Besoj që me rikthimet e gjithë kontingjentit dhe me përmirësimin e gjendjes fizike të lojtarëve që kanë qenë të dëmtuar besoj se do të jemi aty ku ka klubi për objektivat e Partizanit.”

 

Sulmi i Vllaznisë – “Vllaznia ka një ndër sulmet më të mira të kampionatit, por nuk besoj që janë të varur vetëm nga një lojtar. E rëndësishme për ne është që të fokusohemi tek të gjithë ekipi i Vllaznisë.”

 

Rotacioni – “Ka pasur dy opsione nga stafi që mund të bëjmë edhe rotacion të mundshëm sepse ndeshjet janë afër, vendosëm që t’i japim përparësi atyre lojtarëve që kanë qenë këto 3-4 javë në formacion. Me afrimin e lojtarëve të dëmtuar mund të ndryshojmë diçka sepse nuk kanë diferencë të madhe me ata që luajnë në formacion.”

Alban Hoxha – “Alban Hoxha ka vazhduar stërvitjen me grupin, edhe në seancat stërvitore kur ne luajmë, ai nuk është futur në portë sepse specifika e portierit është se nëse ke diçka në duar nuk luan dot sepse një gabim kushton shumë.”, përfundoi Daja.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?