Kryeqytetasit dalin kundër shfaqjes “Prefekti” në Teatrin Kombëtar

Art Kulture

Teatri Kombëtar vendosi të lexojë pjesë nga vepra “Hijet e natës” të Vedat Kokonës dhe “Prefekti” të Besim Levonjës për t’i shfaqur në adresën e tij në “Facebook” me rastin e festave të nëntorit.

Por ndërsa “Hijet e natës” kaloi në heshtje një lumë kritikash e ndoqën leximin e “Prefektit” të Levonjës dhe jo vetëm se në të ironizohet e tallet figura e Qazim Mulletit, por sepse përmes saj, duket se Teatri po rivlerëson tezat e qasjet që kishte teatri gjatë regjimit komunist, luftën e klasave dhe stigmatizimin e banorëve të Tiranës që jo vetëm u dënuan dhe iu morën pronat për t’ia dhënë elitës së re komuniste, por edhe u portretizuan dhe përjetësuan në vepra arti si qesharakë.

Persekutimi komunist në Tiranë u shpalos në një konferencë shkencore të Autoritetit të Dosjeve më 19 nëntor.
Pas njoftimit që publikoi në faqen e vet Teatri Kombëtar, Shoqata “Tirona Intellectum” reagoi ashpër. Kjo e fundit e cilëson edhe më të turpshme që pjesë e këtij produksioni është një aktor nga Tirana duke iu referuar Arben Derhemit.

POSTIMI I PLOTË
Teatri Kombëtar njoftoi shfaqjen sot të komedisë “Prefekti”, një komedi totalisht e politizuar, produkt i sistemit komunist, që denigron ish Prefektin e Tiranës, Qazim Mulletit. Përtej çudisë, indinjatës dhe paradoksit se si mund të rikthehen në skenën e teatrit kombëtar veprat “e sukseshme” të komunizmit, vepra e Besim Levonjës (që për extrem të paradoksit në postim e quajnë dhe “kryevepër”) është një shtrembërim flagrant, malinj dhe i shëmtuar i historisë! Qazim Mulleti ka qenë nga figurat më intelektuale dhe të arsimuara të kohës (i shkolluar në shkollat dhe universitetet prestigjoze në Greqi, Turqi dhe Austri) si dhe protagonistët e politikës shqiptare të asaj kohe! Në vend që histografia post-komuniste të bënte “mea culpa” për denigrimin që i ka bërë kësaj figure, vazhdon përsëri mendësine e një epoke të urryer për shqiptarët, çvarrosjen e një paçavureje pas tre dekadash dhe kthimin në skenë të saj, për më tepër në një ditë simbolike, atë të festës kombëtare! Nga ana tjetër, të shfaqësh këtë palo komedi është të fyesh e të poshtërosh jo vetëm Qazim Mulletin dhe familjen e nderuar Mulleti, por të gjithë komunitetin tironas, të fyesh atë pjesë të shoqërisë që u persekutua egërsisht nga sistemi totalitar! E turpshme për më tepër, që aktori kryesor është një tironas! Shoqata “Tirona Intellectum” dënon me indinjatë këtë gjë dhe njofton që së shpejti do të realizojë një simpozium shkencor për figurën e nderuar të Qazim Mulletit, për ti dhënë atij vendin që i takon në histori, në kuadrin e misionit të saj për rishikimin e historisë dhe figurave patriotike të komunitetit tonë, të denigruar nga histografia komuniste! Jo vetëm kaq, por TI do kërkojë dhe do bëjë përpjekjet për kthimin e eshtrave të Mulletit në atdhe! U kujtofshin gjithnjë me nderim figurat patriotike dhe intelektuale të komunitetit tironas! Rroftë dita kombëtare e Pavarësisë se Shqipërisë!

 

 

Tirona
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?