“Si shkuan stinët ëndrra vrarë”-Poezi nga Adela Hoxha
Gërvisht një emër në dritare era!
Gërvisht një emër në dritare era
I njëjti emër, i njëjti shi.
Kalojnë ditë, muaj, vite…
Emri gdhëndur në xham rri,
E njëjta dritare, i njëjti shi gri.
𝙆𝙚̈𝙨𝙖𝙟 𝙗𝙖𝙧𝙙𝙝𝙚̈𝙨𝙞𝙚
Humbin ëndrrat kësaj bardhësie.
Këtu ke takuar peisazhin mitik.
Në vatra gjen ngrohtësi Perëndie.
Vetja të duket personazh biblik.
Më jep Zot, më jep dhe një jetë të dytë!
Me kaq jetë të shkurtër, nuk çmallem.
Me bardhësi parajse s’ngopen sytë.
Në vdeksha, dua prap të ringjallem!
Dal nga vetja, s’gjendem gjëkund.
Dal nga vetja, s’gjendem gjëkund,
Nga jashtë rrethuar me absurden botë,
Përbrenda mbushur me bosh pafund,
Më thoni : “Të jetosh a është e kotë”?
Kam vendosur, vetes do t’i arratisem,
Mos u lodhni të më gjeni gjëkund,
Çdo ditë jam nisur e prapë do të nisem,
Si dallga bregut gjurmët humb!
Pagjumë
Pagjumë gdhihet ëndrra.
Ngrica e fjalëve e vret,
Trazuar si deti dhe brenga.
Varkën mbi dallgë nget..
Si shkuan stinët ëndrra vrarë
Si shkuan stinët ëndrra vrarë,
Lisat u zhveshën nga blerimi.
A nuk duket njeriu si lis i tharë,
Kur braktis shpirtin nga gëzimi.
Përbindësh, frika endet mbi krye.
Boll me lajme tmerri e llahtarie!
Kam nevojë për dritë, diell e yje.
Të mbytem në ëmbëlsi dashurie.