Bardhi: Shqipëria nën hetim nga Prokuroria për vjedhje të fondeve publike gjatë pandemisë

Politike

DISKUTIMI I GAZMENT BARDHIT NË KOMISIONIN E LIGJEVE

Unë nuk mora përgjigje për pyetjet që drejtova, përse jemi të parafundit, kemi lënë mbrapa vetëm Bosnje-Hercegovinën, dëgjova zonjën ministre që na tha, ndoshta situata ndryshon në 30 tetor. Jam i sigurt që në 30 tetor do ju thërrasim prapë dhe t’ju pyesim në varësi të situatës dhe të shifrave, por fakti është që në këtë moment që ne flasim, ndryshe nga situata që na paraqitet si ishim 4 apo 5 muajsh kur ju e përdorët procesin e vaksinimit për fushatë elektorale.

Pra edhe jetën dhe shëndetin e qytetarëve e keni në funksion të fushatës tuaj elektorale, pra nuk ju intereson as jeta dhe as shëndeti i qytetarëve, por një proces jetik të rëndësishëm për qytetarët e përdorët për arsye elektorale, dhe sapo mbaroi fushata elektorale, nga vendi i dytë pas Serbisë, siç ju përmendët që ishim gjatë fushatës elektorale, sot jemi vendi i parafundit në rajon.

Jemi pas Kosovës, Kroacisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për shifra që i themi ne, dhe i thoni ju, janë shifra zyrtare.

Zonja Ministre e pranoi që situata në 3 tetor për vendet e rajonit, është kjo tabelë, që nuk ishte tabelë e opozitës, është tabelë e organizatave ndërkombëtare ku zonja ministre dhe ministria e shëndetësisë raportojnë dhe ne e shprehën edhe me votë, jemi absolutisht pro procesit të vaksinimit, jemi pro enzimatmit të çdo qindarke nga qeveria për procesin e vaksinimit, por do të duhet që qeveria të lërë mënjanë propagandën, jeta dhe shëndeti i qytetarëve nuk mund të jenë kurrë propagandë, do të duhej të jenë prioritet.

Nuk i bashkohem dot thirrjes së madhe me flamuj që bëri kolegu dhe ju zonja kryetare për të falënderuar ministren për punën heroike që ka bërë. Zonja ministre ka bërë detyrën e saj. Stafi i ministrisë ka bërë detyrën e vetë. Dhe në vend që ta falenderojmë në fakt do të duhej që ky komision t’i kërkonte llogari ministres për çështje shumë serioze gjatë trajtimit të pandemisë. Ju e dini që ne jemi vendi i vetëm bashkë me Zimbabve-në ku Ministria e Shëndetësisë është nën hetim nga prokuroria për përdorim të tenderave sekretë dhe vjedhje të fondeve publike gjatë pandemisë. Janë nën hetim sot ata.

Ndoshta edhe zonjat që janë të ulura aty si përfaqësuese të qeverisë janë sot nën hetim nga Prokuroria sepse kanë keqpërdorur fondet publike gjatë pandemisë. Është Shqipëria dhe Zimbabve ku është arrestuar Ministri i Shëndetësisë.

Ka një hetim të përfunduar nga SPAK që i ka kaluar për kompetencë, pra ka konstatuar shkeljen e Ministrisë suaj me fondet publike, abuzime me tendera sekretë, dhe ia ka kaluar për kompetencë Prokurorisë së Tiranës dhe zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë janë në hetim për keqpërdorim të fondeve publike. Ju jeni bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë në Zimbave, dy ministritë në botë që jeni nën hetim për keqpërdorim të fondeve të qytetarëve shqiptarë gjatë pandemisë. Prandaj t’i lëmë falënderimet e rreme, secili të bëjë detyrën.

Sikundër e ritheksoj dhe tërheq vëmendjen që herë tjetër kur qeveria të vijë për çështje serioze siç me të drejtë zonja Felaj e konsideroi aktin normativ, do të duhej që deputetëve t’i paraqesë minimanilisht një informacion të përmbledhur mbi aktin. Akti normativ i ardhur nga qeveria është vetëm një faqe relacion, besoj biem dakord zonja felaj se jeni relatore, ku nuk ka asnjë të dhënë. Pra ka përsëritur fjalë për fjalë çfarë thotë akti normativ. Nuk ka asnjë të dhënë shtesë. Nuk ka as akuza, dhe nuk është sekret çmimi se ju thatë, do blini 500 mijë doza me marrëveshjen e re.

E pranuat ju. 6 milionë dollarë është efekti financiar dhe se sa i bie një dozë vaksine, çdo qytetar arrin ta bëjë llogarinë. Nuk ka ndonjë sekret tek çmimi. Është 12 dollarë për dozë dhe del nga të dhënat. Nuk e keni mbajtur sekret marrëveshjen për efekt të çmimit dhe çmimi është publik. Keni shkruar në relacion 6 milionë dollarë efekti financiar, pohuat që do blioni 500 mijë doza dhe del çmimi se sa është. Nuk e keni mbajtur sekret për këtë.

Ne as nuk kundërshtuam, kemi besim jo tek Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë por tek Kompania Pfizer e cila nuk futet në afera korruptive me qeverinë shqiptare. Se të ishte për këta të jeni të sigurt se do e shfrytëzonin edhe këtë marrëveshje në aferë korruptive siç e kanë dëshmuar me çdo kontratë të lidhur për produkte mjekësore gjatë pandemisë.

Por kompania Pfizer është serioze dhe ne nuk kemi nevojë fare ta lexojmë atë marrëveshje sepse i besojmë kompanisë. Vota jonë është pro marrëveshjes dhe i ribashkohem apelit drejtuar qytetarëve për t’u vaksinuar.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?