Berisha shkon në Shkodër, pritet me lule e ovacione nga mbështetësit
Ish-kryeministri Sali Berisha ka nisur takimin e radhës me demokratët në qytetin e Shkodrës në kuadër të ‘Foltores për PD-në’. Nën ovacione e thirrje të shumta, ish-kryeministri e lideri historik i Partisë Demokratike është pritur nga mbështetësit në sallën e Kinema Milenium në Shkodër, në orën 18:00.
Ky është takimi i pestë që do mban Berisha në kuadër të lëvizjes që ka nisur pas përjashtimit të tij nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike me vendim personal të kryedemokratit Lulzim Basha. Berisha u përjashtua më 9 shtator 2021 nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike.
Basha dhe Berisha kanë hyrë tashmë në një përplasje me njëri-tjetrin ku ish-kryeministri e akuzon për shitje të interesave të PD, përfitime personale dhe bashkëpunim me Edi Ramën. Vetë Berisha kërkon një referendum me 1500 firma për të mbledhur Kuvendin Kombëtar të PD-së dhe për të anuluar vendimin e marrë nga kryedemokrati Basha.