‘Foltorja” e Berishës zhvendoset në Fier!
Ish-kryeministri Sali Berisha do të mbajë “foltoren” e radhës ditën e sotme në qytetin e Fierit. Pas takimit me demokratët në Tiranë, Berisha duket se ka vendosur që takimin e radhës ta zhvillojë në orën 18:00, pranë ish-Universitetit “Ufo”.
Pas përjashtimit nga grupi parlamentar i PD-së, Berisha ka nisur një aksion, duke paralajmëruar një referendum me 1500 firma të Kuvendit Kombëtar. Po ashtu, ai e ka cilësuar Bashën si një “broken lider” që nuk e sjell dot Partinë Demokratike në pushtet. Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha se PD-ja nuk e njeh referendumin.
Berisha u përjashtua më 9 shtator 2021 nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, pas presionit që SHBA ushtruan mbi kryetarin Lulzim Basha. Basha dhe Berisha kanë hyrë tashmë në një përplasje me njëri-tjetrin ku ish-kryeministri e akuzon për shitje të interesave të PD, përfitime personale dhe bashkëpunim me Edi Ramën.