Vokshi dhe Alibeaj: Shtyni seancën, duhet studiuar programi
Mbledhja e parë e Kryetarëve të Komisioneve Parlamentare u shoqërua me debate. Ishte opozita ajo që kërkoi më shumë kohë në mënyrë që të njihej me programin qeverisës. Enkelejd Alibeaj u shpreh se opozitës i duhej më shumë kohë për të studiuar programin pasi diskutimi është shumë i rëndësishëm. Po të njëjtën kërkesë shprehu dhe Albana Vokshi e cila kërkoi që të shtyhej diskutimi për programin.
Ndërsa Balla tha se nuk është në kompetencën e konferencës së kryetarëve që të vendosë shtyrjen ose jo të seancës plenare.
DEBATI PËR SEANCËN
Enkelejd Alibeaj: Për të ruajtur fytyrën e Parlamentit dhe tuajën, si Kryetare e Kuvendit duhet te siguroni që opozita të marrë kohë mjaftueshëm për të studiuar programin, pasi diskutimi për të është më i rëndësishëm në një legjislaturë.
Albana Vokshi: Kërkojmë ta shtyni diskutimin për programin. Ju nuk duhet të keni frikë ta shtyni. Kjo bëhet vetëm nëse keni frikë, sepse s’është as program ky që keni sjellë.
Taulant Balla: Në rendin e ditës sot (dje) kemi vetëm diskutimin mbi kohën që duhet të ketë çdo diskutant. Nuk është në kompetencën e konferencës së kryetarëve që të vendosë shtyrjen ose jo të seancës plenare. Kjo është prerogativë e Kryetares së Kuvendit. Pastaj mund të ketë edhe ndonjë skenarë që ta shtyni diskutimin e të kalojë afati që parashikon Kushtetuta dhe të bi dekreti i Presidentit.