Babai-prokuror investoi 100 mln lekë, bamirësi Arbër Hajdari, biznesmen i madh që 19 vjeç (Dokumentet)

Aktualitet

Nga BoldNews.al

Dhjetra qytetarë të Tiranës janë ankuar në mesnatës e së Shtunës, duke u gdhirë e diela (5 shtator 2021) në Sallën Operative të Policisë së kryeqytetit për një zhurmë ahengu që mbërrinte nga zona e Pallatit të Brigadave, e cila u prishi qetësinë e natës, si edhe vinte në kundërshtim me Aktin Normativ të qeverisë, e cila bllokon aktivitetet pas orës 11 të mbrëmjes për shkak të pandemisë Covid-19.

Policia, për më shumë se dy orë po e kërkonte “në drejtim të paditur” burimin e kësaj zhurme, derisa ahengxhinjtë vendosën vetë të mbyllnin muzikën.

Media online zbuloi se muzika e lartë, në shkelje të Aktit Normativ, vinte nga ceremonia e fejesës së Arbër Hajdarit, drejtues i fondacionit bamirës “Fundjavë Ndryshe”, njëkohësisht djali i Shkëlqim Hajdarit, një ish-prokuror i cili tashmë është zyrtar i lartë në qeverinë “Rama”.

Policia e Tiranës mbylli sytë përpara kësaj shkeljeje flagrante, duke mos dashur të penalizojë “miqtë e kryeministrit Edi Rama”, babë e bir Shkëlqim dhe Arbër Hajdari.

Hajdari i madh është emëruar Kryeinspektor i të gjithë inspektorateve qeveritare në Qershor 2016, sapo dha dorëheqjen nga pozicioni i prokurorit, vetëm pak para se të niste procesi i Vetingut.

Ndërsa Hajdari i ri, drejtuesi i fondacionit “Fundjavë Ndryshe” ka shpeshtuar daljet publike në krah të Ramës, sidomos pas tërmetit të 26 Nëntorit. Madje, ai ishte në krah të kryeministrit edhe në pritjen e refugjatëve të parë afganë në Shqipëri.

Arbër Hajdari rezulton të jetë edhe një biznesmen i madh.

Ai është pronari kryesor i Shoqërisë së Bashkëpunimit Bujqësor “Arbër Products”, të krijuar në vitin 2013.

Arbër Hajdari, i datëlindjes 1994, në kohën e krijimit të biznesit ishte vetëm vetëm 19 vjeç dhe natyrisht, ai personalisht nuk kishte asnjë mundësi reale financiare për të investuar në këtë sipërmarrje të madhe.

Në foto: Ekstrakti i Qendrës Kombëtare të Biznesit e shoqërisë “Arber Products”

Shoqëria është krijuar me të ardhurat e babait të tij, Shkëlqim Hajdari, në atë kohë Drejtues i Prokurorisë së Apelit të Tiranës, i cili ka investuar mbi 100 milionë lekë (të vjetra) për biznesin e djalit të tij të vogël.

Të dhënat zbulohen në deklaratat e pasurisë, të dorëzuara nga Shkëlqim Hajdari pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI).

Në vitin 2012, Shkëlqim Hajdari, i cili ishte shef në Prokurorinë e Apelit të Tiranës, deklaron “investime në fermën e bagëtive të imta në Tujan, në emër të Arbër Hajdarit”, në shumën 16 milionë lekë (të vjetra).

Në foto: Deklarata e pasurisë së Shkëlqim Hajdarit për vitin 2012

Një vit më pas, babai-prokuror deklaron investim në vlerë 100 milionë lekë (të vjetra) për biznesin e Arbër Hajdarit.

Si burim për këtë investim, prokurori i asaj kohe, Shkëlqim Hajdari, deklaron 50 milionë lekë të vjetra nga të ardhurat familjare dhe 50 milionë lekë të tjera grant nga Ministria e Bujqësisë, nëpërmjet Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor e Rural (AZHBR).

Në foto: Deklarata e pasurisë e Shkëlqim Hajdarit për vitin 2013

Duket pak e vështirë për t’u besuar se një 19-vjeçar, megjithëse i regjistruar si biznesmen i madh, të ketë pasur njohuritë e nevojshme për të përfituar grante nga Ministria e Bujqësisë.

Për shumëkënd, dyshimet janë që babai i tij, Shkëlqim Hajdari, të ketë qenë më i azhornuar me procedurat administrative e ligjore, aq më tepër që posti i tij si drejtues i Prokurorisë së Apelit të Tiranës i krijonte shumë aksese në veprimtarinë e institucioneve të tjera.

Në vitin 2016, Arbër Hajdari vendos ta pezullojë aktivitetin e “Arbër Products”, për ta riaktivizuar në fillim të vitit 2021.

Ndërkohë, ai është marrë me drejtimin e fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, për të cilin ka përfituar asete publike me firmë të Edi Ramës.

Këshilli i Ministrave, në datën 13 mars 2019, miratoi vendimin numër 118, “Për dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë me ofertë të pakërkuar, me tarifën 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si qiradhënës, dhe fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, si qiramarrës, për pasurinë nr. 109, me emërtim “SHA Riparim Artilerie”, e përbërë nga disa sipërfaqe, truall funksional dhe objekte, me vendndodhje në Brar, Tiranë, me sipërfaqe të përgjithshme 43 169 (dyzet e tre mijë e njëqind e gjashtëdhjetë e nëntë) m2, me afat 20 (njëzet) vjet”.

Në foto: Vendimi i Këshillit të Ministrave për kontratën “1 euro” me Fondacionin “Fundjava Ndryshe”

Fondacioni “Fundjavë Ndryshe” ka ndërtuar disa banesa sociale në Vaqarr të Tiranës, për banorët e mbetur të pastrehë nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019.

Fondacioni ka deklaruar se burimi i financimit për këtë investim janë dhurimet nga qytetarë dhe biznesmenë, megjithëse nuk është bërë publik asnjë emër konkret.

Drejtimi i Fondacionit “Fundjava Ndryshe” nuk e ka penguar Arbër Hajdarin që të angazhohet në veprimtari të tjera private.

Në vitin 2017, ai, së bashku me Shansi Cingën, një pinjoll i familje biznesmenësh që kanë fituar shumë tendera publikë nën qeverinë “Rama”, kanë krijuar “Arb Center”.

Kompania ka si objekt të aktivitetit të saj ngritjen e qendrave rezidenciale për grupe të ndryshme të shoqërisë dhe selinë e ka në Xhafzotaj të Shijakut, në Durrës.

Krahas angazhimit publik, Arbër Hajdari është përpjekur që të shtojë edhe pasuritë në emër personal.

Në deklaratën e pasurisë së babit të tij, Shkëlqim Hajdari, për vitit 2016, Arbër Hajdari deklaron se ka blerë një pemtore me sipërfaqe 2300 m2 në zonën turistike të Borshit, për një vlerë prej 15 mijë euro.

Në foto: Deklarata e pasurisë e Shkëlqim Hajdarit për vitin 2016

Deri në vitin 2020, nuk deklarohet ndryshim destinacioni apo tjetërsim i kësaj prone.

Megjithatë, duket qartë se djaloshi Hajdari, pasues i një familjeje me rrënjë të forta në zonën rurale të Tiranës, ka pasur fitime të mira, aq sa për të shpenzuar paratë në zonën e Jugut të Shqipërisë.