Ushtria rrëzon presidentin: Ke keqtrajtuar popullin

Bota

Grusht shteti në Guine! Një njësi elite e ushtrisë kombëtare ka njoftuar se ka marrë pushtetin në Guine dhe ka rrëzuar presidentin e vendit, Alpha Conde, pasi të shtëna të forta u dëgjuan pranë pallatit presidencial në kryeqytetin, Conakry, të dielën në mëngjes.

Një ushtar i paidentifikuar i mbështjellë me flamurin e vendit tha në një fjalim të shkurtër në transmetuesin kombëtar, Radio Televizioni Guinea, se parlamenti dhe kushtetuta e vendit ishin pezulluar dhe kufijtë ishin mbyllur. “Ne po marrim fatin në duart tona”, tha ai.

Sidoqoftë, ministria e mbrojtjes tha se një sulm ndaj pallatit presidencial nga forcat kryengritëse ishte ndalur.

“Garda presidenciale, e mbështetur nga forcat besnike dhe republikane të mbrojtjes dhe sigurisë,  zmbrapsi grupin e sulmuesve,” thuhej në një deklaratë.

“Operacionet po vazhdojnë për të rivendosur rendin dhe paqen.”

Mamady Doumbouya, udhëheqësi i përpjekjes për grusht shteti, tha se elitat e kishin keqtrajtuar vendin dhe se do të kishte një periudhë tranzicioni 18-mujore.