Luljeta Bozo: Berishën në Parlament nuk e pengon askush! E votoi populli, do vijë.
Deputetja më e vjetër në Parlament, Luljeta Bozo ka dhënë mendimin e saj në lidhje me shpalljen non grada të ish-kryeministrit Sali Berisha nga SHBA. Ajo tha për ‘Euronews Albania’ se ky vendim është marrë me arsye shumë të forta, mirëpo nuk i kurseu dhe fjalët e mira për Berishën. Ajo tha se atë nuk e pengon asnjeri që të vijë në parlament vetëm nëse e vendos ai. Bozo bëhet kështu e para në partinë Socialiste që del pro ardhjes së Berishës në parlament.
Pyetja: Po si e shikon Bozo kërkesën e artikuluar tashmë të ndërkombëtarëve për largim nga parlamenti të Sali Berishës?
Bozo: SHBA-të që kanë marrë atë vendim kanë pasur arsye shumë të forta, nuk e diskutoj fare, aq më tepër për një person që ka drejtuar për aq vite. Nëse hyn apo jo në parlament kjo varet nga dëshira e personit vet. Atë e ka votuar populli, ndaj nuk ka asnjë që ta pengojë të hyjë në parlament. Atë e pengon vetëm vetja e tij nëse e vendos vetë, por nuk e pengon dot njeri.
Në 19 maj 2021, ish-kryeministri Sali Berisha dhe familja e tij u shpallën persona “non grata” nga Shtete e Bashkuara të Amerikës. Ishte Sekretari i Shtetit Antony Blinken i cili bëri lajmin publik për mediat. Vetë ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se nuk do të tërhiqet nga vendimi për tu bërë pjesë e Parlamentit të ri në muajin shtator. Kjo deklaratë e tij erdhi pas mesazhit që ka dhënë ambasadorja e SHBA-së ndaj Lulzim Bashës, duke ia bërë të qartë që SHBA, e cila ka shpallur Sali Berishën ‘non-grata’, nuk e do këtë të fundit si deputet në parlament.
(a.b)/dosja.al