Pesë sfida që rikthejnë opozitën

Analize

 Nga Fatbardh Kadilli 

 
Pesë sfida që rikthejnë opozitën
Në Manifestin për Ringritjen e PD kam identifikuar thjeshtë, qartë dhe konkretisht sfidat që rikthejnë opozitën në misionin e saj. Mund të listohen edhe të tjera, por këto janë sfida që rishikojnë institucionet e demokracisë. Këto janë sfida që lidhen me filozofinë, me praktikën politike dhe me të ardhmen politike të PD dhe të opozitës në veçanti, si dhe të politikës në tërësi. Në këto sfida është filozofia ime politike, e njerëzve që më kanë mbështetur në këto muaj përpjekjesh për të bërë që secili në PD të reflektonte mbi këto ide, për t’i pranuar ato dhe kthyer në aksionin tone politik. Asnjëherë nuk është vonë.
Realiteti ynë politik sot nuk është gjë tjetër vec se një përballje force. Është vetëm lojë pushteti. Çdo faktor dhe aksion politik relativizohet nga forca. Mendimi dhe alternativa politike, profilizimi dhe konkurenca, hapësirat e lirisë dhe demokracia, kundërshtimi dhe mirëkuptimi, zgjidhja racionale dhe efiçienca nuk janë premisa dhe kritere përcaktuese në këtë lojë pushteti. Kriteri i vetëm përcaktues i suksesit në këtë lojë të pistë, që ne e quajmë prej 30 vjetësh politikë, është forca, është imponimi me anë të forcës. Maxhoranca e sotme, e rikonfirmuar për një mandat të tretë pushteti është shprehja më e qartë e këtij deformimi. Rama sundon sot me aleancën më të keqe që politika ka bërë në këto 30 vjet. Sot na sundon aleanca e politikës më të keqe, me biznesin më të keq, me median më të keqe dhe, me më të këqinjtë e më të këqinjve, me krimin që është bërë faktor përcaktues nga ku buron dhe forca e sundimit, forca e imponimit. Rrezik më i madh për Shqipërinë sesa ky korrupsion i mazhorancës, mund të jetë vetëm joshja dhe korrupsioni i vetë opozitës.
PD duhet të sfidoj këtë sundim, por njëherësh edhe rrënjët e tij që të rikthejë veten dhe politikën.
Sfida e parë është Drejtësia. Në dukje më e harruara dhe më e vonuara. Partia demokratike duhet të shpallë qartë pa ekuivoke, me kurajo dhe ndershmëri se mbështet fuqishëm institucionet e drejtësisë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Në misionin e saj për të pastruar politikën, PD dhe opozita nuk kanë dhe nuk mund të gjejnë aleat më të fortë, më efiçient se sa partneriteti me institucionet e drejtësisë. Korrupsioni dhe krimi nuk luftohet vetëm me deklaratat nga foltorja e PD. As me akuza dhe sulme politike. Këto e relativizojnë dhe e banalizojnë të keqen.
Sfida e dytë – Një kod i ri zgjedhor. Jo më larg se një vit nga sot ne duhet t’i japim shqiptarëve një sistem të ri zgjedhor. Ne duhet të propozojmë një sistem zgjedhor që ngrihet mbi interesat e të gjithë garuesve, pa përjashtim, duke zvogëluar monopolin e kryetarëve duke ua lënë në dorë të lirë qytetarëve që të zgjedhin deputetët e tyre. Ndryshe, «beteja për votën» është një retorikë pa fund, bajate.
Sfida e tretë – ndarja e re administrative. Ndarja e sotme administrative reflekton interesat elektorale të partisë socialiste në kompromis me LSI dhe PDIU. Ne nuk na duhet një ndarje e re administrative që bëhet si llogari elektorale mes partish. Ne duhet të korrigjojmë bojkotin absurd që i bëmë reformës në 2014. Pozicioni ynë duhet të mbështetet në propozimet e instituteve dhe qendrave kërkimore dhe të Shoqatës së Komunave që ishin larg nga llogaritë elektorale.
Sfida e katërt – të ribalancojmë institucionet kushtetuese. Ndoshta duhet rishkruar e gjithë kushtetuta. Ne duhet të shpallim që jemi për balancë të pushteteve që vjen nga forcimi i pavarësisë dhe autoritetit të çdo pushteti. Pavarësia e pushteteve vetvetiu balancon. Çdo pushtet duhet të burojë nga sovrani dhe jo nga ekuilibri dhe negociata politike e ditës apo e stinës. Ne duhet të synojmë që të ndahet përfundimisht legjislativi nga ekzekutivi.
Sfida e pestë – Qytetarit t’i kthejmë sovranitetin. Ky sovranitet kthehet me një ligj të ri për referendumet. Referendumet duhet të jenë baza e demokratizimit të jetës tonë. Demokracia ushtrohet nëpërmjet pjesëmarrjes dhe pjesëmarrja shprehet më mirë se kudo me votë. Sa më shumë të votojnë shqiptarët aq më shumë do ta mësojnë demokracinë. Aq më shumë do të ndihen të përgjegjshëm për votën e tyre. Aq më shumë do të mësojnë shqiptarët të jenë konkurues kur janë pakicë, dhe të dinë të sillen të përgjegjshëm kur janë shumicë.
Pesë sfidat politike rikthejnë institucionet mbi të cilat operon politika. Ato kthejnë politikën dhe i japin fund farsës parapolitike ku kemi kontribuar edhe vetë në këto 30 vjet.
Avancimi i këtyre sfidave politike është me rëndësi jetike për PD. Ato shërbejnë që të kthehet fuqishëm para shqiptarëve si alternativë politike. Por, para së gjithash, do të shërbejnë për ta rikthyer PD si në ditën e themelimit të saj, si forcë politike mbartëse dhe promovuese e interesit qytetar. Misioni i PD nuk mund të jetë thjeshtë marrja e pushtetit, as thjeshtë qënia alternative që siguron simetrinë përballë pushtetit. Në këtë garë të pistë është e sigurt që më e humbur është PD dhe opozita. Në këtë garë të pistë humbasin qytetarët. Një opozitë që humb qytetarin nuk ka arësye të ekzistojë.
Këto sfida kërkojnë betejë reale në parlament. Suksesi i tyre është vërtet në dorë të parlamentit të ri. Por, është detyrë e çdo demokrati të bëjë përpjekjet e veta, të luftojë në çdo centimetër ku kryen aktivitetin e vet politik. Është detyrë e çdo njeriu të angazhuar që këto beteja t’i kthejë fituese. Këto sfida nuk e bëjnë me doemos fituese Partinë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme, por këto e rikthejnë në jetë Partinë Demokratike. I japin mision. Real jo letrar. I japin justifikimin e domosdoshëm moral ekzistencës së saj politike. Riformulimi i misionit tonë është: një shtet me institucione demokratike efiçiente, me zyrtarë me integritet, dhe me një qëndrim të palëkundur përballë çdo të keqe dhe çdo abuzuesi. Po nuk u vunë në axhendën politike këto sfida, dhe po nuk u luftua ndershëm për t’i fituar këto sfida, Partia Demokratike do ketë një rrugë të gjatë në opozitë.