Nga Astrit Veliaj/ Politika e strucit

Analize Shkrime

Prej shumë vitesh kupola opozitare ka praktikuar politikën e strucit, të qëndrimeve evazive për çështjet themelore, të impotencës në aksionet politike, të pazareve të fshehta kur duhet të jepte goditjen finale në marrjen e pushtetit. Kjo i ka kushtuar humbjen e disa palë zgjedhjeve. Askush nuk të beson kur nuk e di se ku qëndron, çfarë synon dhe për çfarë lufton.

Udhëheqësia pa formë, pa shpirt e pa gjak, pa respekt ndaj njerëzve dhe kauzave të veta humbet mbështetjen e shoqërisë. Kjo dyfytyrësi po shfaqet edhe në qëndrimin që duhej mbajtur ndaj sulmeve kundrejt liderit historik të Partisë Demokratike.

Ka rendje pas karriges dhe fshehje të turpshme kur cënohet simbolika, historia dhe integriteti i lidershipit ndër vite. Disa thonë se është çështje e vështirë dhe se jemi midis dy zjarreve. Qullashët zihen ngushtë – luftëtarët dalin nga çdo situatë. Liderët shquhen për pozicionim, guxim dhe domethënie. Burrat e zot mbajnë një qëndrim me besimin më të mirë. Luajtja me disa porta të nxjerr bojën dhe në fund të nxjerr nga loja.

Tani ka ardhur koha për përgjigje të qarta. Institucionet politike gjykojnë permes fakteve, jo deklaratave, distancohen ndaj të dënuarve, jo figurave nën sulm politik. Nëse është çështje morale gjykon opinioni publik, nëse është çështje ligjore gjykon drejtësia. Në çdo rast nuk e zgjidh trafiku i influencës politike. Kështu qartësohen ujërat dhe vendosen mbi një shtrat parimor marrëdhëniet me partnerët.

Mbështetja politike i tërhiqet çdo njeriu që i vërtetohet me gjyq fajësia. Kështu ka ndodhur në vendet e tjera ballkanike. Askund nuk kërkohet dhe askush nuk pranon të ekzekutojë karakterin e dikujt kur nuk është hapur një çështjë në një organ të pavarur drejtësie. Ekzekutimet politike të opozitarëve i bënte dikur Hoxha dhe sot Putini. Në kësi regjimesh politika fliste përpara drejtësisë. Të përjashtonte partia dhe më pas të dënonin marionetat e saj të drejtësisë.

Demokracia ligjore është një koncept tjetër që bazohet mbi votën dhe ligjshmërinë, ku nuk ka vend për gjyqësi politike. Roli i partive qëndron tek qartësimi i marrëdhënieve brenda vetes dhe me të tjerët. Heshtja ngjall spekullimet. U duhet dalë ballë sulmeve përpara se të të vënë përfund, u duhet dhënë formë ngjarjeve përpara se të të japin formë ato.

Sali Berisha nuk ka nevojë ta mbrojë kush se është luftëtar i paepur për nderin dhe interesin publik, por Partia Demokratike duhet të tregojë se është institucion politik dhe nuk ka marrë dobësitë e karakterit të administratorëve të saj. Udhëheqje do të thotë reagim me vendosmëri. Jo-të e mëdha në histori kanë përshkruar fatin e kombeve dhe organizatave e kanë ngritur lart prestigjin e tyre.

Lideri nuk mund të fshihet si struci. Partitë që nuk mbrojnë dot të shkuarën e tyre nuk do kenë kurrë një të ardhme. Rruga drejt pushtetit nuk kalon nga zyrat ndërkombëtarësh, por nga zemrat e shqiptarëve dhe për këtë nuk të duhen fotot me diplomatë, por vendosmëria për të mbajtur qëndrime të forta ndaj kujdo mbi këtë tokë. Gjithkush duhet të jetë përgjegjës për atë që pretendon.

Barra e provës i takon atij që deklaron, thoshin dikur latinët. Kur akuzon duhet ta provosh, ndryshe humbet besimin për t’u marrë seriozisht. Kjo vlen për këdo, sado i madh apo i vogël është. Para ligjit dhe principit jemi të gjithë të barabartë.