Tenderat pa garë, ‘Farma Net’ 5-fishoi fitimet.

Aktualitet

Edhe pse në një vit krize ekonomike për bizneset, për kompaninë ‘Farma Net Albania’ duket se ka ndodhur e kundërta. Tenderat dhuratë dhe pa garë për biznesmenin Sokol Topçiu nga ministrja Manastriliu, kanë pesëfishuar fitimet e kësaj kompanie.

Nga SYRI TV

Kompania ‘Farma Net Albania’ ka pesëfishuar fitimet e saj brenda një viti, pasi fitoi një seri tenderash pa garë dhe me procedura ‘sekrete’ të zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë dhe strukturat vartëse të saj gjatë 2020.

‘Farma Net’ ishte një kompani e vogël në tregun farmaceutik shqiptar dhe prej vitesh fitimi i saj arrinte 30 deri në 40 milionë lekë të vjetra në vitin më të mirë.

Image

Por, në vitin 2020, fitimet e saj u shumëfishuan dhe arritën në mbi 230 milionë lekë të vjetra, duke shënuar një kapërcim gjigant.

Kjo rritje galoponte i atribuohet kryesisht shpalljes fituese të ‘Farma Net Albania’ në tenderët pa garë dhe me procedura jo-transparente, të zhvilluara gjatë vitit 2020 nga Ministria e Shëndetësisë dhe strukturat e saj të varësisë.

Image

Në Mars 2020, ‘Farma Net Albania’ ishte pjesë e një bashkimi operatorësh që fituan në tenderin sekret me vlerë 3 milionë euro për blerje maskash dhe pajisje të tjera mbrojtëse anti-covid, të zhvilluar nga institucioni i drejtuar prej Ogerta Manastirliut.

Procedura e ndjekur nga Ministria e Shëndetësisë dhe e miratuar në mungesë të plotë transparence nga Këshilli i Ministrave, u shndërrua shumë shpejt pjesë e një hetimi të SPAK-ut, pas publikimeve mediatike dhe një kallëzimi të Partisë Demokratike.

Por, ai hetim u sfumua menjëherë dhe prokurorët specialë vendosën ta përcillnin rastin pranë Prokurorisë së Tiranës, pasi nuk arritën të identifikonin shkelje penale nga zyrtarët e nivelit të lartë.

Pasi u kalua kjo pengesë, ‘Farma Net Albania’ vijoi rrugën e saj të ngritjes financiare, e ndihmuar sërish nga institucionet shëndetësore, të cilat kanë realizuar një dyzinë tenderash të paracaktuar për t’u fituar nga kompania e drejtuar prej Sokol Topçiut.

 ‘Syri TV’ ka raportuar edhe më parë se ‘Farma Net Albania’ ka siguruar një Autorizim ekskluziv nga Ministria e Shëndetësisë për të tregtuar në Shqipëri një medikament të paregjistruar në vendin tonë, për kurimin ndaj helmimit nga gjarpri.

Ky medikament emërtohet ‘Viper Venom’ në flakonë 5 mililitra. Në tregun shqiptar qarkullojnë edhe medikamente të tjera për të luftuar helmimin nga gjarpri, në flakonë me sasi të ndryshme.

Por, thuajse të gjithë strukturat shëndetësore, në Tiranë e në rrethe, në tenderat e tyre, kërkojnë të blejnë serumin ‘Viper Venom’ në flakonë 5 mililitra, pikërisht atë që është ekskluzivitet i ‘Farma Net Albania’.

Image

E, natyrisht, në përfundim të procedurave tenderuese, fitues shpallet kompania e Topçiut, e cila është e vetmja që lejohet të qarkullojë në Shqipëri atë medikament.

© SYRI.net