Erdogan: Turqia nuk është depo e Europës për refugjatët afganë

Bota

Tashmë që po shihet qartë që vendet e Bashkimit Europian janë shumë skeptike për të marrë refugjatë nga Afganistani pas rikthimit të talebanëve.

Në këtë situatë presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, u ka bërë thirrje vendeve të tjera evropiane që të marrin përgjegjësinë për afganët që ikin nga talebanët, duke paralajmëruar se Turqia nuk ka asnjë detyrim që të jetë ‘depo e refugjatëve në Evropë’.

‘Evropa, e cila është bërë qendra tërheqëse për miliona njerëz, nuk mund të qëndrojë jashtë këtij problemi duke mbyllur kufijtë e saj vetëm për të mbrojtur mirëqenien e qytetarëve të saj. Me këtë qëndrim, Evropa po u kthen shpinën vlerave njerëzore’, tha Erdogan në një konferencë shtypi televizive, raporton CNN.

Ai tha se rreth gjysma e emigrantëve ‘të parregullt’ që Turqia ka regjistruar në tre vitet e fundit janë nga Afganistani.

‘Turqia pret rreth pesë milionë shtetas të huaj – përfshirë 3.6 milionë sirianë dhe 300 mijë afganë’, shtoi Erdogan.

Ai tha gjithashtu,  ‘se nëse është e nevojshme, Turqia do të jetë e hapur për takim me qeverinë që do të formohet nga Talebanët’.

Rreth 500 qytetarë turq u evakuuan nga Afganistani kohët e fundit dhe rreth 300 të tjerë që janë ende të bllokuar atje do të kthehen në shtëpi së shpejti.