Turqia në luftë me flakët

Bota

Ndërsa ekipet turke të zjarrfikësve vazhduan të martën me betejën e tyre njëjavore kundër zjarreve që shkatërrojnë pyjet dhe fshatrat në bregdetin jugor të vendit, qeveria e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan vazhdon te përballet me kritika të shumta për përgjigjen e saj të dobët dhe gatishmërinë e papërshtatshme për zjarret në shkallë të gjerë.

Të ushqyer nga erërat e forta dhe temperaturat përvëluese, zjarret që filluan të mërkurën kanë lënë tetë persona të vdekur dhe kanë detyruar mijëra banorë dhe turistë të largohen nga shtëpitë ose vendpushimet. Pemët e djegura dhe të nxira kanë zëvendësuar disa nga kodrat e veshura me pisha në Bregun Turkuz të Turqisë, ndërsa shumë fshatarë kane humbur shtëpitë dhe bagëtitë. Një ekspert i lartë i pyjeve i përshkroi zjarret si më të rëndat në kujtesën e gjallë të Turqisë, megjithëse ai nuk mund të thotë se sa hektarë tokë pyjore kishin përpirë zjarret. Ministri i Brendshëm, Suleyman Soylu tha se erërat e forta po rigjallëronin flakët që ishin vënë më parë nën kontroll.

Ndërsa banorët humbën shtëpitë dhe bagëtinë, zemërimi u kthye ndaj qeverisë, e cila pranoi se nuk kishte një flotë avionësh per shuarjen e zjarreve. Partitë opozitare akuzuan qeverinë se nuk kishte arritur të blinte avionë të tillë dhe në vend të kësaj kishte shpenzuar para për projekte ndërtimi që ata thonë se janë të dëmshme për mjedisin. Në fshatin Bozalan, në provincën Mugla, ku shtëpitë dhe pemët e ullirit u dogjën, banorët u ankuan se përgjigja e qeverisë ishte e papërshtatshme. Qeveria e Erdoganit është akuzuar gjithashtu për kompromentimin e përpjekjeve të shuarjes së zjarrit duke pretenduar se ka refuzuar ndihmën nga vendet perëndimore gjatë fazave të hershme të zjarreve. Por një zyrtar tha se qeveria kishte refuzuar vetëm ofertat për avionë të vegjël për hedhjen e ujit.

Ministri i Jashtëm Mevlut Çavusoglu tha të martën se Turqia kishte pranuar të gjitha ofertat që plotësojnë nevojat e saj. Franca dhe Greqia gjithashtu ofruan të dërgonin aeroplanë zjarri, por më vonë u detyruan t’i tërhiqnin ato për shkak të zjarreve atje, tha ai. Ambasada izraelite, megjithatë, tha të martën se Izraeli kishte ofruar për të dhënë ndihmë, por zyrtarët turq e kishin refuzuar ofertën, duke thënë se “situata ishte nën kontroll”. Vetë Erdogan u akuzua për pandjeshmëri pasi u shfaq ne media gjatë një vizite në Antalia duke u hedhur banoreve qese me kanaçe me çaj.