Vritet me armë zjarri aksidentalisht 13-vjeçari nga Kurbini

Aktualitet

 Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Gërnac të Kurbinit, ku është gjetur i vrarë me armë zjarri një 13-vjeçar. I mituri, i identifikuar deri më tani si R.Keqi, është gjetur pa shenja jete shumë pranë banesës së tij në mesnatë nga efektivët e Policisë.

Paraprakisht dyshohet se vrasja e tij ka qenë aksidentale, pasi viktima ka qenë bashkë me tre fëmijë të tjerë duke kullotur bagëtitë në mal dhe atje kanë gjetur një automatik të mbushur. Pasi kanë dërguar bagëtitë në stan, i mituri dhe dy shokët e tjerë kanë nisur që të luajnë me armën e mbushur duke shtënë pa dashje. Plumbi kapi 13-vjeçarin duke e lënë të vdekur në vend.

Policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur hetimet, ndërsa më shumë detaje mbi këtë ngjarje të rëndë pritet të mësohen në minutat në vijim. Deri më tani mësohet se në pyetje janë marrë dy të miturit e tjerë, ndërsa arma po kontrollohet në laborator për të parë nëse është përdorur në ndonjë ngjarje kriminale të mëparshme.