Basha thirrje qytetarëve: Demokracia vdes në heshtje, koha për të ngritur zërin!
Kryedemokrati Lulzim Basha ka publikuar disa foto nga Fieri, i cili është mbuluar i gjithi nga tymi që lë pas zjarri që digjet disa kilometra larg qytetit. Në postimin e tij, Basha i bën thirrje qytetarëve që të ngrejnë zërin dhe të kërkojnë të llogari për menaxhimin e taksave të tyre.
“Shikojini këto imazhe të tmerrshme. Dita e katërt e katastrofës mjedisore në Fier. E njëjta skemë kriminale si në Durrës e Kavajë. Digjen plehrat, helmohen familjet,vetëm që të justifikojnë më pas pagesa të majme inceneratorëve me aksionerë mafian dhe qeveritarët e korruptuar. Viktimat janë njerëzit që helmohen dhe vidhen. Hesht drejtësia, edhe pse ka muaj që PD ka depozituar në SPAK faktet: mbi 400 milionë euro të taksave të shqiptarëve që qeveria ja ka dhuruar inceneratorëve. Censurohet media: heshtje e blerë nga mafia e inceneratorëve. Kështu e do regjimi Shqipërinë: pa të drejta, pa liri, pa të vërteta. Prandaj shkel ligjet, pasurohet duke vrarë shëndetin dhe ekonominë, grabit buxhetin e shqiptarëve, shantazhon dhe blen drejtësinë dhe median. Askush nuk mund të pretendojë se nuk e sheh dhe nuk e kupton. Demokracia vdes në heshtje. Koha për të ngritur zërin! Për veten tuaj, për fëmijët dhe shëndetin e familjeve tuaja. Për taksat tuaja të vjedhura dhe të drejtat tuaja të dhunuara!,”-shkruan Basha.
POSTIMI I PLOTË:
Fieri është pushtuar prej më shumë se katër ditësh nga një tym i shkaktuar nga zjarri që po djeg mbetjet në një fushë disa kilometra pranë qytetit. Situata është shumë problematike, për shkak të gazrave të rrezikshëm që po përhapen pas djegies së mbetjeve.
Koncesionari i trajtimit të mbetjeve në Fier, Shoqëria “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k tha se situate e krijuar nuk është përgjegjësi e tyre, pasi ata e kanë landfillin gati, ndërsa Bashkia nuk i çon mbetjet për t’u përpunuar. Kryebashiaku Armando Subashi ka vendosur ditën e sotme si afat për të zgjidhur problemin, duke u justifikuar se nuk i kanë dërguar mbetjet në landfill pasi nuk ka rrugë.