Çudira shqiptare/ Briken Çalja pa trajner në Tokio

Sport

Briken Çalja, i cili u rendit i katërti në botë dhe humbi vendin në podium vetëm për një kilogram, nuk ishte i shoqëruar këtë kompeticion nga trajneri i tij Gerald Toska. Vendin e tij e kishte zënë presidenti i FSHP-së, Elez Gjoza. Me gjithë respektin për këtë të fundit, sepse edhe ai dikur ka qenë shtangist, kompeticione të tilla kërkojnë seriozitet dhe përkushtim, jo vetëm presidentin e federatës që i fërkon shpatullat dhe kokën sportistit pas garës…

Shqipëria mirë që nuk ka psikolog me vete dhe është e kufizuar në shumë detaje të tjera, por të paktën sportistët elitarë, ata që garojnë për medalje, duhet të kenë edhe trajnerin e tyre personal. Fundja është edhe çështje psikologjike për sportistin. Prania e trajnerit që e ka stërvitur tërë kohën sportistin dhe njeh avantazhet e dobësitë e tij, është thelbësore në gara të tilla. Vendet e tjera shkojnë me staf të zgjeruar me qëllim që sportistët e tyre të marrin më të mirën, ndërsa tek ne në vend të trajnerit shkon presidenti i federatës. Unike! Dhe nuk është rasti i vetëm…

E njëjta gjë edhe me atletikën, ku Gjergj Ruli është edhe presidenti i federatës edhe trajneri i Izmir Smajlajt. Imagjinoni pak që Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova të mos kishin në Olimpiadë trajnerin e tyre Driton Kuka…! E pamendueshme! Pastaj fillojmë të kërkojmë “fajtorin” tek gjërat e tjera…

 

 

Edhe sot nuk është bërë publik nga Komiteti Olimpik Shqiptar lista e delegacionit që kanë udhëtuar në olimpiadën e Tokios, megjithëse gazeta “Panorama Sport” prej disa ditësh ka kërkuar në rrugë zyrtare listën e plotë të delegacionit që ka udhëtuar drejt Japonisë./ Panorama Sport /