PD: 447 milion euro, gjoba e kryeministrit për familjet shqiptare

Politike

Partia Demokratike ka nxjerrë shifrën përfundimtare të shumës që Shqipëria do të paguajë nëse humbet të gjitha çëshjet që ka dërguar në arbitrazh, të cilat shkojnë në total 447 milionë euro. Në deklaratën e Partisë Demokratike, shkruhet se shuma nuk do të përdoret për vendin, ndërsa kërkojnë nga Prokuroria e Posaçme që të hetojë padinë e depozituar më 8 prill për çështjen “Becchetti”.

“447 milionë euro, kjo është fatura e Edi Ramës për familjet shqiptare. Imagjinoni sa probleme të vogla dhe të mëdha për shqiptarët do të zgjidhte kjo shumë marramendëse, që fatkeqësisht do të kthehet në një peshë për buxhetin e çdo familje, që do të detyrohet të paguajë papërgjegjshmërinë e Edi Ramës. 447 milionë euro nuk do të shkojnë për spitale, shkolla, kopshte, investime në infrastrukturë, ndihmë ekonomike për njerëzit në nevojë, por për të paguar dëmet e shkaktuara nga një pakicë që ka shkatërruar ekonominë dhe po varfëron shqiptarët. Në 8 prill 2021 Partia Demokratike ka depozituar në SPAK kallëzimin për çështjen “Becchetti”. Ne presim që ajo të hetohet me përparësi, sepse çdo orë vonesë tashmë përkthehet në një dëm ekonomik të pakthyeshëm për qytetarët,”-thuhet në deklaratën e PD-së.

Shqipëria humbi përfundimisht gjyqin me sipërmarrësin italian Francesco Becchetti, lidhur me dëmshpërblimin e kërkuar nga ai për mbylljen e televizionit “Agon” në vitin 2015.  Becchetti kishte kërkuar 650 milionë euro dëmshpërblim, pasi prokuroria shqiptare sekuestroi pronat e biznesmenit italian, përkatësisht televizionin Agon Channel, kryeministri e pati akuzuar publikisht Beçhetin për pastrim parash. Sipas vendimit të marrë në gjykatën ndërkombëtare në çështjen ‘Beccheti’ kundër Shqipërisë, vendi ynë duhet t’i paguajë 110 milionë euro biznesmenit.