Nisin sot Lojërat Olimpike ‘Tokio 2020’

Sport

Tashmë gjithçka është gati, sot në 13:00 (me orën e Shqipërisë) do të startojë ceremonia e hapjes së veprimtarisë më të madhe globale sportive, Lojërat Olimpike.

Më shumë se 11,238 atletë nga 204 shtete do të garojnë në 33 sporte dhe 50 disiplina të ndryshme në “Tokio 2020”.

Olimpiada do të presë 339 evente, ndërsa gjithçka do të mbyllet më datë 8 gusht.

Në Stadiumin Olimpik të Tokios do të jetë perandori japonez Naruhito ai që do të hapë zyrtarisht Olimpiadën.

Siç dihet, ceremonia e hapjes do të bëhet nën masa të rrepta sigurie për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID, teksa në stadium vetëm 1 mijë persona (funksionarë, të ftuar dhe media) do të kenë fatin ta ndjekin ngjarjen nga afër.

Për shkak të masave të sigurisë, gjithashtu edhe numri i delegacioneve që do të parakalojnë do të jetë në numër tepër të kufizuar.

“E qartë, e thjeshtë dhe me momente të inspiruara nga drama që pandemia COVID ka shkaktuar në mbarë botën”, kështu do të jetë ceremonia inauguruese e “Tokio 2020”, e cila do të zgjasë 3 orë e gjysmë.

Fillimi do t’i dedikohet eksperiencës që njerëzimi dhe bota e sportit në veçanti po kalon me pandeminë prej një viti e gjysmë.

Sipas raportimeve të gazetarëve që kanë asistuar në provat gjenerale, spektakli do të nisë me një njeri të vetmuar në qendër të stadiumit.

Artisti do të shfaqet i shtrirë dhe i përkulur, ndërsa më pas do të ngrihet në këmbë dhe do të drejtohet, duke simbolizuar rikthimin e jetës.

Ndërkohë, në ekrane gjigante do të projektohen pamje të atletëve që stërviten nëpër dhomat e tyre, për t’i kujtuar të gjithë botës që sportistëve prezentë në Lojërat Olimpike u është dashur të stërviten për një pjesë të madhe të kohës vetëm, në shtëpitë e tyre, për shkak të karantinës.

Para ceremonisë së Lojërave Olimpike është prononcuar edhe presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Tomas Bah.

I pyetur se si do të ndihet gjatë hyrjes në stadium për inaugurimin, kreu i CIO-s u përgjigj: “Nuk jam profet. Të shikojmë. Mendoj që ceremonia e hapjes do të jetë një çlirim i madh për të gjithë”, tha Bah.