Me shpejtësi të frikshme 225 km/h, dy turistët nga Kosova nuk i ndalojnë radarit në Fier

Aktualitet

Policia Rrugore vijon kontrollet në të gjitha rrugët e vendit, për të kapur “pilotët” që “fluturojnë” me makinë.

Gjatë një aksioni të fundit, janë bllokuar në hyrje të Vlorës dy kosovarë, të cilët kanë qenë duke ecur me shpejtësi të frikshme 225 km/h dhe nuk i kanë ndaluar radarit në Fier.

Njoftimi i policisë:

Kujdes! Mos fluturoni të arrini aksidentin, e në rastin më të mirë Radarin e Policin Rrugor.

Me shpejtësi të frikshme 225 km/h drejt Vlorës, dy kosovarët nuk ndalojnë radarit në Fier por bllokohen nga Policia në hyrje të Vlorës.

225 km/h, pavarësisht makinave luksoze, kjo është papërgjegjshmëri ndaj jetës, shpejtësi të tilla janë vrastare, rrezikojnë seriozisht jetën tuaj e të përdoruesve të tjerë të rrugës.

Në Bypass-in e Fierit, në aksin Fier-Vlorë, në vendin e quajtur “Pojan”, janë konstatuar nga radari automjetet me targa zviceriane tip “Lamborghini” dhe “BMW” duke bërë gara me shpejtësi 225 km/h.

Automjeteve u është bërë shënjë nga punonjësit e Policisë për të ndaluar por drejtuesit e tyre kanë vijuar me shpejtësi drejt Vlorës. Menjëherë janë njoftuar shërbimet e Policisë Rrugore të Vlorës si dhe forcat e posaçme “Shqiponja” dhe në hyrje të qytetit të Vlorës janë ndaluar të dy automjetet.

Të dy drejtuesit e automjeteve janë ndëshkuar me masë administrative, konkretisht: drejtuesi i mjetit tip “Lamborghini”, shtetasi I. B., 40 vjeç, banues në Zvicër, është ndëshkuar me masë administrative 168.000 lekë për shkeljet administrative “Tejkalim i shpejtësisë”, “Garë shpejtësie”, “Qarkullon pa targë”, “Nuk ndalon pas dhënies së shenjës së ndalimit me tabelë” dhe drejtuesi i mjetit tip “BMW” shtetasi M. N., 36 vjeç, banues në Kosovë, është ndëshkuar me masë administrative 120.000 lekë për shkeljet administrative “Tejkalim i shpejtësisë”, “Garë shpejtësie”.

Respektoni rregullat e qarkullimit rrugor. Kudo ka radarë e punonjës të Policisë Rrugore.

#MosuBëjStatistikë🚑
#RregullKujdesDurimDestinacion
#NeJemiAtyPërSigurinëTuaj🚔