Rama: Kush të dojë të kërcejë të dalë në natyrë!

Aktualitet

Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestën e biznesmenëve në Lungomare të Vlorës, të cilët kërkojnë shtyrjen e afatit për lejimin e muzikës dhe aktivitetin e bareve dhe restoranteve. Rama thotë se në Lungomare ka një ndotje akustike të tmerrshme dhe propozon që kushdo që kërkon të kërcejë, mund të dalë në natyrë.

REAGIMI I PLOTE I RAMES:

Protestë në Lungomare për muzikën? 1.Lungomare s’ka muzikë po ndotje akustike të tmerrshme ku përzihen dhjetra linja burime menjëherë 2.E drejta e atyre që duan zhurmë muzikore tërë natën nuk fiton dot mbi tē drejtën e atyre që natën duan zhurmën e detit

3. Siç është lajmëruar, nga data 20 korrik muzika do të ndalet në 23.00 në çdo zonë turistike të banuar dhe kush do të kërcejë e të këndojë tërë natën po të dojë, le të organizohet në natyrë, në pika ku nuk shqetëson njeri – si në tërë botën e civilizuar turistike.

Mbrëmjen e djeshme, një protestë simbolike e biznesmenëve në Vlorë që vendosën Himnin Kombëtar pak minuta para skadimit të afatit të lejuar për muzikën, përfundoi me përplasje me policinë. 4 persona u shoqëruan, ndërsa një grua u shoqërua me dhunë dhe u gjobit 10 milionë lekë të vjetra në lokalin ku ishte administratore. Bizneset kërkojnë shtyrjen e afatit të lejuar për muzikën deri në 00:00 dhe për bizneset në Lungomare deri në 02:00. Mbi 90 biznese nga sot kanë pezulluar shërbimin në shenjë proteste.