Manastirliu: Nga e hëna do të jetë java e parë e hapur e vaksinimit masiv

Aktualitet

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, teksa ka ndjekur nga afër procesin e vaksinimit në stadiumin ‘Air Albania’, ka njoftuar se nga java e ardhshme do të jetë java e parë e hapur e vaksinimit. Vaksinimi do të kryhet për personat që janë mbi moshën 18 vjeç.

Pas mbërritjes së 340,000 dozave të vaksinave, kemi vendosur të kthejmë sërish ditët e hapura të vaksinimit, sipas planit të vaksinimit dhe rekomandimeve të ekspertëve të shëndetit publik. Do të jenë datat, nga dita e hënë e javës që hyjmë, deri në datë 25 korrik. Do të jetë java e parë e hapur e vaksinimit për të gjithë qytetarët +18 vjeç, në të gjitha qendrat shëndetësore, në pikat e vaksinimit masiv, duke shkuar edhe derë më derë. Do të jemi në komunitet për të realizuar këtë vaksinim të popullatës +18 vjeç në këtë javë të vaksinimit. Aktualisht në Shqipëri janë më shumë se 1 milion e 500 mijë doza vaksine të mbërritura. Ndërkohë që të hënën ne presim dhe rreth 32 mijë doza të vaksinës Pfizer, për të vijuar me planin e vaksinimit dhe për ta zgjeruar akoma më tej, tha Manastirliu, ndërsa ka ftuar qytetarët +18 vjeç të vaksinohen përgjatë këtyre ditëve.