Basha: Uran Kostreci, kolos i qëndresës kundër diktaturës

Aktualitet

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka bërë homazhe sot në Tiranë, në nderim të qëndrestarit antikomunist Uran Kostreci, i cili ndërroi jetë të hënën në moshën 83-vjeçare. Homazhet u zhvilluan në Institutin e ish-të Përndjekurve Politikë.

Basha shprehu dhimbjen e thellë për humbjen e dyfishtë të një njeriu me cilësi të rralla si z. Kostreci dhe e konsideroi privilegj që kishte pasur rastin të njihej personalisht me të.

“Sot është një ditë e trishtë, shumë e trishtë për të gjithë miqtë e Uran Kostrecit, për të përndjekurit politikë dhe pasardhësit e tyre, për të gjithë shqiptarët patriotë.

Ndahemi nga një njeri me vlera të jashtëzakonshme, me një dhimbje të dyfishtë, me vetëdijen që kemi humbur një kolos të qëndresës kundër diktaturës komuniste, një njeri që diti t’i përgjigjet dhimbjes, torturave, dramave me pastërtinë e shpirtit të tij, me një zemër të madhe që nuk u ngushtua kurrë as në vitet e gjata nëpër burgjet e komunizmit dhe as pas daljes prej tyre, po përkundrazi prodhoi një nga veprat më të mëdha dhe më të thella, dëshmi të dhimbjes së jashtëzakonshme të një populli të tërë e në veçanti të atyre guximtarëve që çmimin e lirisë e paguan duke qenë të vetmit njerëz të lirë brenda burgjeve të komunizimit.

Dhe së dyti me vetëdijen se plejadës ë këtyre qendrestarëve, pak nga pak po ju mungojnë fizikisht kolosë të tillë si Uran Kostreci ndërsa ne brezit të ri dhe pasardhësve të tyre na lind detyra e madhe patriotike dhe privilegji, nderi dhe pesha e përgjegjësisë për ta mbajtur përherë të gjallë jo thjesht kujtimin e tyre por kujtimin e guximit të shqiptarëve të rrallë si Uran Kostreci dhe shokëve të tij përballë terrorit të diktaturës dhe mekanizmave të saj.

Jam i bindur sot se shumica dërrmuese e atyre që kanë pasur rastin ta njohin Uran Kostrecin siç kam pasur privilegjin edhe personalisht dhe shumë e shumë e të tjerë që nuk e kanë pasur këtë privilegj, por e kanë njohur përmes penës ë tij, ndiej një zbrazëti  në shpirt dhe i lutem Zotit që bashkë me prehjen e merituar në paqen e përjetshme, të na lërë të gjithë ne dhe në veçanti familjarët e tij me kujtimet më të mira të këtij njeriu të rrallë me të cilin do të krenohej çdo komb. Ju faleminderit.”