Viktor Orban për komunitetin e LGBTQ: Nuk i lejojmë të futen në shkolla

Bota

 Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban tha se Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian dëshirojnë që në Hungari të lejohet hyrja e aktivistëve të LGBT në shkolla, por theksoi se ai nuk do ta lejojë diçka të tillë.

Në një deklaratë, Orban reagoi ndaj kritikave për rregulloren ligjore e cila ndalon “promovimin” për homoseksualitetin dhe ndryshimin e gjinisë tek personat nën 18 vjeç në vend. Ai vuri në dukje se diskutimi i zhvilluar dje në Parlamentin Evropian rreth ligjit në fjalë ishte i frytshëm.

“Ishte një diskutim i frytshëm sepse gjithkush paraqiti hapur qëndrimin e tij. Çdo gjë është e kuptueshme dhe e qartë. PE dhe KE dëshirojnë që të lejojmë hyrjen e aktivistëve dhe organizatave të LGBT në kopshte dhe shkolla fillore. Qeveria hungareze nuk e pranoi këtë dhe ajo është plotësisht brenda kompetencave të saj kombëtare lidhur me çështjen e rritjes së fëmijëve. Burokratët e Brukselit nuk kanë asnjë punë këtu. Çfarëdo që të bëjnë nuk do të lejojmë që aktivistët e LGBT të hyjnë në mesin e fëmijëve tanë në kopshte dhe shkolla fillore,”-tha Orban

Belgjika, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Irlanda, Lituania, Luksemburgu, Holanda, Spanja, Suedia dhe Letonia duke nënshkruar një deklaratë të përbashkët më 22 qershor, reaguan ndaj ligjit i cili ndalon në Hungari “promovimin” për homoseksualitetin dhe ndryshimin e gjinisë tek personat nën 18-vjeç.

Në Hungari, sipas ligjit të miratuar më 15 qershor, ndalohet promovimi i çdo lloj përmbajtjeje nëpër shkolla për homoseksualitetin dhe ndryshimin e gjinisë tek personat nën 18-vjeç. Sipas ligjit edhe kanalet televizive, ndjekjen e filmave dhe programeve me përmbajtje të tilla do të mund ta rekomandojnë për personat mbi 18-vjeç.